Vitia: Vaksinohuni me të dyja vaksinat, sepse çdo masë tjetër mund të jetë efektive vetëm për momentin

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka mbajtur sot një konferencë për media në të cilën është deklaruar lidhur me situatën e krijuar së fundi si pasojë e virusit COVID-19.

Ndër të tjerash Vitia ka bërë thirrje tek qytetarët që të vaksinohen dhe të mos hezitojnë në mes vaksinës Astrazeneca apo Pfizer, pasi ai theksoi se të dyja kanë efekte të mira në parandalimin e këtij virusi.

“Të dashur qytetarë sot ishte një ditë e rëndë për Kosovën ku 26 qytetarë kanë humbur jetën në përballje me pandeminë COVID-19.Ngushëllimet më të sinqerta dhe ndajmë dhimbjen me ta.
Kjo situatë është e vështirë dhe e dhimbshme për të gjithë ne.Të gjitha përpjekjet tona janë të fokusuara së pari në parandalimin e infeksioneve të reja dhe në trajtimin e rehabilitimin e atyre që gjenden në institucione shëndetësore. Pas mbledhjes së ditës së diele diskutimi i disa vendimeve të marra në raport të situatës dje kemi filluar me Komunitetin për Vlerësimin e Pandemisë.Ky komunitet u formua dhe sot patëm takimin e parë. Në këtë takim jemi dakorduar që këto takime të jenë të vazhdueshme e çdo ditë të ketë raportime nga secili institucion për monitorimin dhe zbatimin e këtyre përgjegjësive dhe masave që janë marrë të shtunën e kaluar.Në anën tjetër tanimë janë publikuar listat nga rekrutimi i 85 inspektorëve sanitarë dhe sot pritet lista e mbi 1 mijë personave nga personeli shëndetësorë. Të gjithë këta do të fillojnë punën sa më shpejtë në vendet e punës sipas kërkesave nga SHSKUK dhe nga QKTGJ, AUV dhe kujdesi parësor shëndetësore.Dje janë mbajtur takime me UNOX për barnat që kanë të bëjnë me COVID-19 dhe shumë shpejt këto barna pritet të jenë në spitalet tona”, tha ai.

Tutje ministri Vitia theksoi se mbrëmë kanë arritur edhe mbi 53 mijë doza të vaksinave nga kompania Pfizer dhe deri në fund të javës edhe 150 mijë doza të tjera të Astrazeneca nga Gjermania.

“Sot ka vazhduar furnizimi me barna dhe materiale të tjera shëndetësore.Deri në fund të vitit kujdesi parësor shëndetësore do të furnizohet me barnat nga lista esenciale dhe kjo do të përmbushet më herët pasi ditët në vazhdim do të furnizohen me pjesën e mbetur.Kjo ka qenë një punë e gjatë dhe e palodhshme e profesionistëve tanë shëndetësore të cilët për pak muaj nga 15% sa kishim gjetur në stoqe me materiale kjo do të arrijë në masën mbi 90%.Në total do të vijnë 622 mijë vaksina, ku një pjesë tanimë ka arritur gjatë muajve korrik dhe gusht.
Poashtu janë rigjeneruar termine të reja për tu vaksinuar duke u furnizuar nga kjo kontratë.
450 mijë doza nga Pfizer nga COVAX, si pjesë e donacionit nga SHBA-të.Kemi vaksina të mjaftueshme të kompanisë Pfizer dhe Astrazeneca.Ju bëjë thirrje që të mos zgjedhim se cilën vaksinë të marrim në një situatë si kjo, por me rëndësi është të vaksinohemi sa më parë”, tha ministri Vitia, shkruan lajmi.net.

Tutje i pari i shëndetësisë në vend tha se ka vaksina të sigurta në Kosovë dhe se jemi vendi i vetëm në rajon që ka administruar vetëm vaksina të aprovuara.

“Pothuajse i gjithë kabineti qeveritar duke filluar nga vetë kryeministri Kurti jemi vaksinuar me vaksinën Astrazeneca.Kjo vaksinë po tregohet shumë e suksesshme ashtu si edhe vaksina Pfizer. Besojini shkencëtarëve të mirëfilltë, institucioneve dhe studimeve të shumta që e tregojnë këtë gjë. Në këtë kohë është e rëndësishme të vaksinohemi sa më shumë dhe sa më shpejtë dhe vetëm kështu parandalohen valë të reja të pandemisë dhe do të kemi më pak dhimbje e më pak humbje të të dashurve tanë. Çdo masë tjetër sado efektive që mund të jetë për momentin vetëm e shtyn problemin, por nuk e kryen atë.Çdo masë që ne e ndërmarrim ka kosto shumë të lartë ekonomike e sociale. Çdo ditë e më shumë po mësojmë për variantin Delta, jo vetëm ne por e gjithë bota.IKSHPK më 16 gusht na njoftoi se 171 të të infektuarve dolën se janë me variantin Delta dhe menjëherë kemi paralajmëruar masa të reja me datën 17 gusht të cilat u miratuan më 18 gusht.Duket se në mesin e qytetarëve, por jo vetëm është krijuar një ide se ky variant edhe pse po shpërndahet më shpejtë është më i lehtë se variantet e tjera, me shumë keqardhje më duhet tu them se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ky variant në studimet e fundit tregon se përveç shpërndarjes shumë të shpejtë është edhe një nga viruset më të egra”, shtoi ai.