Vitia për Pacollin: Rregullat janë për të gjithë njëjtë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë në një përgjigje për KOHË-n se rregullat janë publike dhe zbatohet për të gjithë njëjtë, përfshirë këtu edhe për kreun e AKR-së, Behgjet Pacolli.

Kujtojmë se sipas një vendimi të Qeverisë për shkak të Covid-19, të gjithë personat që hyjnë në Kosovë duhet të shkojnë për 14 ditë në karantinë.

“Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve. Shëndeti i qytetarëve tanë është mbi të gjitha. Andaj, që në fillim të shfaqjes së rasteve të para me COVID-19 në vendin tonë, në koordinim të plotë me të gjitha ministritë e linjës, janë përcaktuar rregullat bazuar në rekomandimet e IKSHPK-së”, ka thënë Vitia.

Ai shton se ato rregulla do të vazhdojnë të ndryshojnë deri në një vendim të ri.

“Këto rregulla janë publike. Ato janë zbatuar për të gjithë njëjtë dhe nuk më takon mua si ministër t’i përcaktojë përjashtimet nga këto rregulla. Kjo do të vazhdojë deri në rekomandimet tjera nga IKSHP dhe vendimet që do jenë në përputhje me këto rekomandime. Natyrisht, e siguroj secilin qytetar të Republikës së Kosovës se ne si Ministri e Shëndetësisë do të vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve tanë”, ka thënë Vitia