Ministri i Infrastrukturës Dimal Basha ka shprehur pakënaqësi me gjetjet e Raportit të Progresit të Komisionit Evropian, duke kontestuar vlerësimin për situatën e sigurisë në veri të Kosovës.
Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, Basha ka kundërshtuar cilësimin e veriut si zonë me “situatë të brishtë sigurie”, duke thënë se Bashkimi Evropian do të duhej ta mirëpriste përmirësimin e gjendjes dhe shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të vendit.
Ministri ka kërkuar madje që BE-ja të kërkojë falje dhe ta korrigjojë raportin, për shkak të kritikave ndaj operacioneve policore kundër strukturave të mbështetura nga Serbia dhe arrestimeve në veri.
“Policia jonë nuk ka arrestuar njerëz për shkak të etnisë së tyre, por për shkelje të ligjit. Kjo është shqetësuese. BE-ja e di saktësisht pse janë bërë arrestimet; duhet të kërkojë falje dhe ta korrigjojë këtë raport”, ka deklaruar Basha.
Ai ka kundërshtuar edhe trajtimin e çështjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në raport, duke pyetur pse kërkohet trajtim i veçantë për ta, kur një gjë e tillë nuk kërkohet për komunitetet e tjera.
“Barazia para ligjit nuk mund të zbatohet vetëm për disa”, ka thënë ministri.







