Vitia: Kapacitetet në spitale janë të kufizuara, 99 për qind e rasteve të reja janë me variantin Delta

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia pas mbledhje së Qeverisë së Kosovës ka thënë se gati në 99 për qind të rasteve të reja të infektuara me COVID-19 është prezent varianti Delta i COVID-19.

Ai është shprehur se kapacitetet në spitalet e përgjithshme janë të kufizuara, andaj edhe janë të detyruar që të ndërmarrin masa.

“Varianti Delta siç e kemi përmendur mbrëmë, tani është konfirmuar gati në 99 për qind e rasteve të reja. Ka kohë që ne kemi paralajmëruar se një valë e re e pandemisë me këtë variant është e pashmangshme. Gjatë gjithë kohës ne e kemi ditur se vetëm vaksinimi mund të ngadalësoj dhe mund të ndaloj këtë valë. Prandaj i kemi shtuar kapacitetet e vaksinimit dhe brenda një periudhe relativisht të shkurtër kemi arritur të administrojmë gati 650 mijë vaksina duke përfshirë edhe ato që po bëhen sot. Kapacitetet në spitalet tona janë të kufizuara dhe ne po e përsëris, në situatën aktuale jemi të detyruar të ndërmarrim masa që vënë në pah mbi të gjitha shëndetin publik të qytetarëve të republikës”, ka thënë ai.

Vitia është shprehur se numri i të vaksinuarve nuk është i mjaftueshëm për të ndalur hovin e variantit Delta, andaj ai ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen.

“Me variantin Delta as ky numër nuk mjafton që të ndalim hovin e këtij virusi. Na duhen më shumë caktime të termineve dhe vaksinime në mënyrë që të parandalojmë sa më shpejtë shpërndarjen e virusi. Me këtë variant, për shkak të përhapjes shumë të shpejtë, shtimi i numrit të të infektuarve me këtë rritje tani për ilustrim vetëm dy javë pas situatës që ishim me 200 raste, ky numër sot është dhjetëfishuar. Kjo tregon sa i frikshëm është ky variant”, ka shtuar ai.