Përmes një postimi në Facebook ministri i Shëndetësisë , Arben Vitia ka njoftuar se sot, ka zhvilluar një takim me homologun e tij gjerman, Dr. Karl Lauterbach, në kuadër të Samitit Botëror të Shëndetësisë në Berlin.

Vitia ka thënë se gjatë bisedës, ka falënderuar atë për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania ka dhënë ndër vite për Republikën e Kosovës.

“E njoftova Ministrin Lauterbach me prioritetet dhe investimet tona. Po ashtu, biseduam për mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellë në të ardhmen. Paraqita gjatë takimit dhe nevojën për ndihmën teknike e investimet nga Gjermania përfshirë edhe atë për funksionalizimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në Kosovë”, ka shkruar ministri në Facebook.

Tutje Vitia ka thënë se gjatë takimit, ka kërkuar nga homologu i tij mbështetje për edukimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mjekëve tanë përmes trajnimeve në Gjermani, për përmirësimin e kapaciteteve tona shëndetësore.