Vitia: Hera e parë dhe e fundit që flas për fushatën zgjedhore, jam i fokusuar në luftën kundër pandemisë

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, njëherësh edhe kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka folur para mediava për situatën me COVID-19 në Kosovë.

Ai është pyetur edhe për fushatën e tij për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti, por ka thënë se aktualisht është i fokusuar në detyrën e tij si ministër.

“Për sqarim, unë jam Arben Vitia i cili është i njëjti person edhe para vitit 2013, edhe gjatë kohës kur kam qenë në Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, edhe kur kam qenë ministër në qeverinë Kurti 1 dhe tash në Qeverinë Kurti 2. Unë jam i njëjti, vetëm në pozita të ndryshme dhe deri më tani nuk kam bërë as fushatë as edhe një postim në rrjete sociale për garën time për kryetar të Komunës së Prishtinës. Unë jam i fokusuar në punën time si ministër dhe në luftimin e pandemisë”, ka thënë Vitia, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se kjo është hera e parë dhe e fundit që flet për fushatën e tij zgjedhore për kryetar të Prishtinës, deri sa kryeministri të vendos për zëvendësimin e tij.