Viti 2020, vit i kobshëm për artin kosovarë: Nga Pagarusha tek Peja, emrat e ikonave që vdiqën

Viti 2020 ishte viti më i kobshëm për artin kosovarë, pasi emra të mëdhenj u shuan dhe lanë një zbrazëti të madhe në skenë, shkruan Gazeta Metro.

Këta artistë lanë pas vete një krijimtari të pasur që do të mbahet mend nga të gjithë dhe do të përcillet brez pas brezi.

Nexhmije Pagarusha

Nexhmije Pagarusha, është emri i ikonës së muzikës shqipe e cila vdiq në moshën 86 vjeçare më 7 shkurt 2020. Ajo u lind në vitin 1933 në Pagarushë, ku më pas u rrit dhe u bë njëra ndër gratë më të suksesshme në fushën e saj.

Ajo përfundoi shkollën e muzikës në Beograd, dhe gjatë gjithë karrierës së saj artistike ka performuar në koncerte në vende të ndryshme të botës, duke e bërë kështu Kosovën të njohur kudo që ka hedhur hap.

Kënga më e njohur e saj është ”Baresha”, të cilën e ka kompozuar burri i saj Rexho Mulliqi. Pagarusha mbajti koncerte në vende të ndryshme të botës, si në Irazel, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe në Kosovë e Shqipëri pa dyshim.

Bilbili i këngës shqipe u varros në Pagarushë me një ceremoni familjare, pasi ashtu e kishte lënë amanet, transmeton Gazeta Metro.

Emri i të madhes Nexhmije Pagarusha do të mbahet mend gjatë dhe këngët e saj padyshim do të dëgjohen edhe shumë vite.

Leze Qena

Leze Qena, ikona e aktrimit vdiq më 25 mars në moshën 85 vjeçare.

Ajo la pas vete një karrierë të bujshme për publikun shqiptar, duke luajtur në shumë filma, seriale dhe skeçe humorisitke.

Leze Qena, shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas në Prishtinë. Për më shumë se 60 vjet ka qenë e pranishme në shumë shfaqje teatrale në Kosovë.

Qena ishte pjesë e komedisë “Mahmutovitët dhe Rexhepovitët (viti 2000), “Po e zëm, po e zëm” (viti 1970), “Ditari i Lec Pazhecit” (viti 1975), “I ikuri” (Viti 1980), “Shkolla e Fshatit” (1987), “Qesh e ngjesh” (1982), “Të gjithë me ne”, (2000), “Familja Moderne” (2001-2011), “Kombinati” (2012-2015), “Çka ka Shpija”.

Aktorja e madhe u varrosë një ditë pas vdekjes më 26 mars në varrezat e Arbërisë në Prishtinë.

Adem Mikullovci

Aktori i njohur Adem Mikullovci vdiq në moshën 82 vjeçare më 15 shtator të vitit 2020.

Ai bëri një dedikim shumë emocional për vdekjen e mikes së tij, Leze Qena

Mikullovci, që ka luajtur shumë role përkrah Qenës, ka kujtuar takimin e fundit që ka pas me të.

Ai tha se mes të qeshurave kanë folur se kush nga ata të dy do t’i bashkohet i pari aktorit tjetër të njohur dhe bashkëshortit të Lezes, Xhevat Qenës – që ka ndërruar jetë vite më parë.

“ELIZABETE- Më shkove edhe ti..! A të kujtohet Leze kur ndejtëm bashkë herën e fundit qesheshim me fatin që ne të dy mbetëm Mohikanët e fundit dhe pyeteshim se a thua cili nga ne do të shkon i pari te Xhevati: Unë thash:”Leze unë do të shkoj para teje”…Ti ma kape veshin dhe më bërtite: ”Përkundrazi unë shkoj para teje,mua më ka grua e ty vetëm shok”.. Dhe ja ! Ashtu edhe ndodhi Elizabett.. Mua më latë të fundit dhe unë s’kam qare pa ardh te ju. Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat…. Teatri i jonë Leze -u mbyll” pati shkruar Mikullovci.

Teksa rreth tetë muaj më pas iu bashkua Lezës në amshim.

Rolet më të dalluara i realizoi në shfaqjet “Duke pritur Godonë”, “Po shkoj për gjah”, “Njeriu që pa vdekjen me sy”, “Dashuria”, “Hotel Kashta” me rekord shikueshmërie (nganjëherë me nga dy shfaqje në ditë), “Fundi i botës”, “Miza në vesh”, “Erveheja”, etj.

Gjithashtu ai ishte regjisor i disa shfaqjeve në teatër, si “Pas vdekjes” (Çajupi), “Mosha e bardhë” (D. Agolli), “Dan Shejtani”, “Engjulli i stacionit”, monodrama “Bihorasit” (dramatizim i veprës së autorit Q. Sijariq), “Ti mos u përziej”, komedia “Shtrati”, stand-up komedia “Përgjuesi”, etj.

Pos aktrimit Mikullovci iu bashkua edhe politikës. Në vitin 1990 ai ishte në mesin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut.

Mikullovci hyri sërish në politikë kur u bashkua me Vetëvendosjen në maj të vitit 2017. Në zgjedhjet parlamentare të atij viti, ai u zgjodh deputet në Kuvendin e Kosovës.

Isë Llapqeva

Më 15 shtator 2020 vdiq ikona e folklorit shqiptar, Isë Llapqeva. Ai vdiq në në moshën 76 vjeçare duke varur çiftelinë e primin e tij.

Isë Llapqeva ndërkohë në vitin 2014 publikoi albumin “Lavdi, Lavdi, Lavdi Legjendave Kombëtare”, kurse “Odat tona janë kanë shkolla”, mbetet projekti i fundit që e lansoi më 10 janar të vitit 2020.

Llapqeva do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ata që duan muzikën folklorike.

Avni Mula

Më 29 tetor 2020 u nda nga jeta në moshën 92-vjeçare, kompozitori i mirënjohur shqiptar, Avni Mula.

Mula u lind në Gjakovë, më 1928. Studimet e larta muzikore i kreu në Konservatorin “Çajkovski” të Moskës (1952-1957), ku u diplomua si këngëtar lirik, bariton.

Karrierën artistike e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike.

Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, të Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës e shumë të tjera.

Ismet Peja

Ishte data 23 nëntor 2020, kur në moshën 83 vjeçare vdiq kolosi i muzikës së vjetër qytetare shqipe, Ismet Peja. Varrimi i të ndjerit u bë në varrezat e qytetit të Gjakovës, nën një ceremoni mortore përcjellëse, teksa të pranishëm ishin edhe shumë nga krerët shtetëror.

Peja ishte ndër artistët me përvojë më të gjatë në skenën muzikore shqiptare. Gjatë karrierës së tij ai solli një sërë projekte si “Knoma kangën sa t’jam gjallë”, “Robi plaket kur donë vet” dhe jo vetëm.

I njohur kryesisht për këngë të vjetra qytetare, Ismet Peja ka qenë dhe do të mbetet perlë e muzikës shqiptare.