Presidenti legjendar

Vit i zi për futbollin kosovar, legjenda Vokrri u nda nga jeta

9 qershori i vitit 2018 ishte një datë e trishtë për futbollin kosovar, teksa në mëngjesin e kësaj dite pas një sulmi në zemër, nga jeta u nda, legjenda Fadil Vokrri. Ishte një ndarje e hershme dhe e pa pritur gjersa presidenti Vokrri vetëm 10 ditë më parë kishte shikuar nga afër fitoren e Kosovës ndaj Shqipërisë në një takim miqësor.

Fadil Vokrri i lindur më 23 korrik të vitit 1960, karrierën si futbollist e filloi në moshën 15 vjeçare, ndërsa pas dy viteve debutoi te klubi i vendlindjes, KF Lllapi. Vokrri hapin e madh e realizoi derisa u transferua te Prishtina në vitin 1980, duke iu ndihmuar kryeqytetasve të ngjiteshin në Ligën e Parë të ish Jugosllavisë, me 33 golat e shënuar në 84 paraqitje. Periudha e viteve të 80-ta ishte e artë për Vokrrin, i cili në vitin 1984 debutoi në ekipin përfaqësues të Jugosllavisë, duke u bërë futbollisti i vetëm shqiptar që u paraqit në Përfaqësuese, e ku regjistroi 12 paraqitje dhe shënoi 6 gola.

Në vitin 1986 u transferua te Partizani i Beogradit ku në 27 ndeshje shënoi 13 gola. Ai me meritë e fitoi epitetin e legjendës së futbollit kosovar, pasi ishte bartës i flamurit olimpik në Lojërat Olimpike Dimërore në Sarajevë në vitin 1984, gjersa në vitin 1987 ishte shpallur lojtari më i mirë në Jugosllavi.
Në vitin 1989 kaloi në Francë te skuadra Nimes dhe më pas u transferua në klubin turk, Fenerbahçe ku luajti me mjaft sukses në edicionet 1990-1992. Pas karrierës në kampionatin turk ai u rikthye në Francë ku jetoi me familjen dhe luajti edhe për disa vite për skuadrat e niveleve më të ulëta franceze, Bourges dhe Montluçon, para se t’i jepte fund karrierës.

Pas çlirimit të Kosovës, ai, u kthye në atdhe, fillimisht për ta ndihmuar ish klubin e tij, Prishtina, në postin e drejtorit, kurse më pas në shkurt të vitit 2008 e mori drejtimin e Federatës së Futbollit të Kosovës si njeriu më i duhur për ta drejtuar FFK-në drejt anëtarësimit në UEFA e FIFA.
Këtë mision, Vokrri e arriti me sukses, teksa me 15 janar të vitit 2016 u konfirmua sërish në krye të FFK-së edhe për një mandat tjetër 4 vjeçar. Fadil Vokrri ishte njeriu kryesor që ndikoi në anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA, gjersa dallimin e bënë lidhjet e tij me figurat më të rëndësishme të organizatave kryesore të futbollit.

Këtë e dëshmojnë edhe deklaratat e presidentit të FIFA-së, Gianni Infantino dhe ish futbollistit të njohur kroat, Zvonimir Boban, me rastin e vdekjes së legjendës Vokrri.

“Jam shumë i mërzitur me lajmin dhe në emër të komunitetit botëror të futbollit, dhe në emrin tim, shpreh ngushëllimet më të thella ndaj familjes së Fadil Vokrrit. Ka qenë pionier në shumë mënyra; duke arritur karrierë të madhe ndërkombëtare, duke luajtur në klube të ndryshme dhe në liga të niveleve të ndryshme në një kohë kur nuk ishte kaq e zakonshme si sot. E po ashtu duke shtruar themelet për njohjen e Kosovës si anëtare e FIFA-së. Kjo kërkon energji të jashtëzakonshme, besim dhe forcë bindjeje. Fadili i kishte të gjitha këto, ishte tip i këtillë: një shembull i entuziazmit dhe përkushtimit dhe një lider i madh të cilin jam krenar që e njoha dhe punova me të”, pati thënë Infantino.

Ndërsa, Boban erdhi në Prishtinë për ceremoninë mortore duke treguar edhe mesazhin e presidentit të UEFA-së, Alexander Ceferin.

“Erdha për ta ngushëlluar familjen e Vokrrit për këtë humbje të madhe. Normalisht që përcjell ngushëllimet edhe të presidentit të UEFA-së, Ceferin. Ka qenë legjendë e futbollit. Më rrallë jemi takuar viteve të fundit me njëri-tjetrin, por ka qenë njeri i madh. Shpresoj se do të takohemi në një botë tjetër, për të luajtur futboll”, kishte potencuar Boban.

Karrierën e Vokrrit e kujtuan edhe ish skuadrat e tij, Partizani i Beogradit dhe Fenerbahçe. Klubi nga Stambolli i shprehu ngushëllime gjithë popullit të Kosovës, duke treguar pikëllimin e tyre për ndarjen nga jeta e ish futbollistit të tyre që kaloi dy sezone te 19 herë kampionët e Turqisë. Ndërsa në anën tjetër, klubi serbi përgatiti një dokumentar të shkurtër ku shfaqeshin momentet më të rëndësishme të numrit 9-të me fanellën bardhë e zi. Fadil Vokrri fitoi një titulli kampion të ish Jugosllavisë me Partizanin në sezonin 1986-87.

Edhe Mediat serbe e ato ndërkombëtare raportuan për veprën e Fadil Vokrrit. Mediumet serbe e cilësuan 57 vjeçarin si legjendë të Partizanit, kurse theksuan aktivizimin e tij edhe te përfaqësuesja e Ish Jugosllavisë, me të cilët kishte zhvilluar 12 paraqitje duke ia shtuar edhe 6 gola.

Mediat më të rëndësishme ndërkombëtare si Reuters, AP, Washington Post, raportuan për vdekjen e Vokrrit. Washington Post përcolli artikullin e AP-së për vdekjen e Vokrrit me titullin: “I madhi i futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, vdiq në moshën 57 vjeçare”. Reuters shkruajti se ishte Vokrri, ai që e vendosi Kosovën në hartën e futbollit botëror kur vendi u anëtarësua në UEFA e FIFA më 2016.

Në varrimin e Fadil Vokrrit pati shumë pjesëmarrës, duke filluar nga qytetarë e familjarë të ish presidentit deri te delegacione zyrtare të Serbisë. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit Vokrrit, në Prishtinë kishin ardhur ish-kryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiq dhe kryetari i klubit të Partizanit, Millorad Vuçeviq.

Në nderim të legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrrit, stadiumi i rinovuar i Prishtinës ka marr emrin e tij, teksa Kosova në këtë stadium ka zhvilluar 3 ndeshje, të gjitha të mbyllura me fitore. Duket se ndihma e legjendës është ndjerë edhe në këtë rast. /Ballkani.info/