Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Visar Azemi, ka reaguar ndaj kërkesave publike për dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatet zgjedhore duhet të kërkohet fillimisht tek secili nivel organizativ i partisë.
Përmes një reagimi publik, Azemi ka theksuar se nuk është as koha dhe as mënyra që rezultatet jo të kënaqshme nëpër degë të maskohen me kërkesa për largimin e kryetarit të partisë.
“Secili duhet së pari ta bëjë llogarinë para anëtarësisë së vet dhe të pyesë veten nëse ka bërë mjaftueshëm për ta bërë LDK-në më të fortë në zgjedhjet e fundit”, ka shkruar Azemi.
Ai ka vlerësuar angazhimin e shumë aktivistëve dhe mbështetësve të LDK-së gjatë zgjedhjeve, duke e cilësuar si zhgënjyese faktin që, sipas tij, në vend të reflektimit dhe mirënjohjes për punën e bërë, po zgjidhet rruga e sulmeve ndaj partisë nga brenda.
Azemi ka shprehur mbështetje të plotë për kryetarin Lumir Abdixhiku dhe procesin e bashkimit të LDK-së, duke theksuar se proceset demokratike janë përmbyllur dhe se fokusi tani duhet të jetë tek forcimi i partisë.
“Qytetarët presin alternativë serioze dhe një LDK të bashkuar”, ka theksuar ai, duke shtuar se energjitë nuk duhet të shpenzohen në beteja të brendshme apo agjenda personale.
Në fund të reagimit të tij, anëtari i Kryesisë së LDK-së u ka bërë thirrje të gjithë atyre që e duan partinë që të punojnë për forcimin e saj dhe jo për thellimin e konflikteve të brendshme.
“ Ata që me të vërtetë e duan LDK-në, sot kanë një detyrë: ta forcojnë atë, jo ta lodhin me konflikte të pafundme”, ka përfunduar Azemi.







