Visar Azemi i LDK-së pas sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës: Kurti dhe kjo qeveri nuk i duhen më vendit

Zyrtari i LDK-së Visar Azemi, ka reguar pasi Bashkimi Evropian ka konfirmuar se kanë hyrë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qysh nga momenti që është bërë e ditur për këtë ndëshkim, nuk ka asnjë koment nga ekzekutivi në lidhje me këtë çështje.

“Me kokëfortësinë e tij dhe veprimet e njëanshme, ky pushtet po e lë Kosovën pa fondet dhe projektet e BE-së. Nga veprimet e pamatura të Kurtit po pezullohet MSA-ja. Dhe atij dhe zyrtarëve të lartë të shteti po iu mbyllen dyert për takime të nivelit të lartë e vizita”, ka thënë Azemi.

Azemi tutje tha se këto janë ndëshkime si pasojë e Kurtit dhe kësaj qeverie.

”Krejt këto për disa lojëra të një axhamie politik. Për disa manovra të një tufe praktikantësh. Të këtyre që më së paku gurë kanë vendosur në themelet e shtetit, e sot po e rrëzikojnë atë. Në emër të sovranitetit dhe integritetit territorial, ndërkohë që i zbehën të dyja, e për më keq e përdhosën imazhin e Kosovës ndërkombëtarisht”, ka shkruar tutje Azemi.