Virusi e ka sulmuar keq, as pas dy muajve Ragip Begaj nuk është shëruar plotësisht

Për shumë ditë kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, ka qëndruar i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, për shkak të gjendjes së rënduar nga koronavirusi. Ditë më parë ai ka rezultuar negativ në testin për COVID-19, mirëpo për t’u shëruar plotësisht nga pasojat e këtij virusi ai po vazhon me terapi.

Për gjendjen e tij shëndetësore, Express ka biseduar me nënkryetarin e Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili tha se gjendja e Begajt po përmirësohet çdo ditë e më shumë.

“Nga koronavirusi është i shëruar, në punë s’ka dal akoma për shkak se ka edhe disa terapi fizike. Por gjendja e tij po përmirësohet dita-ditës”, tha Berisha.

Ai tha se Begaj është liruar nga spitali dhe ndodhet në banesën e djalit të tij në Prishtinë.

Tutje, Berisha shtoi se stafi i Komunës po shpreson në rikthimin e shpejtë të kryetarit Begaj.

Begaj u infektua me koronavirus rreth dy muaj më parë, atij iu deshën rreth një muaj për të dal negativ në testin e koronavirusit.