Anëtarja e Parlamentit Evropian (PE) Viola von Cramon beson se “i gjithë mjedisi politik në Serbi duhet të ndryshojë”.
“Përgjegjësia e udhëheqjes së Serbisë është të sigurojë që njerëzit të mos jenë viktima të sulmeve, të mos satanizohen, të mos frikësohen dhe kjo është në interes të BE-së”, tha ajo, transmeton Ballkani.info.
Von Cramon beson se shumë njerëz në Serbi meritonin zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente.
“Mendoj se shumë qytetarë sot po kërkojnë një ndërmjetësim dhe moderim, i cili do të shikonte më nga afër se çfarë ndodhi realisht – sa të manipuluara ishin ato zgjedhje në aspektin sasior. Do të ishte mirë nëse do të kishte një organ të pavarur që do të mund të studionte situatën, se si mund të kishte ndodhur e gjithë kjo”, tha von Cramon në N1.
Ajo deklaroi se “kushdo që të jetë në krye të saj, nuk vendosim ne, por thjesht dëgjojmë se çfarë kërkojnë qytetarët dhe sektori civil, por sigurisht edhe njerëz nga opozita”.
Duke komentuar sjelljen e qytetarëve nga Republika Srpska për të votuar në zgjedhjet në Serbi, von Cramon thekson se kjo është “një shkelje e dukshme e çdo standardi ndërkombëtar, që ka të bëjë me ligjet zgjedhore”.
“Njerëzit që nuk banojnë në qytetin e Beogradit, dhe në njëfarë mënyre votojnë nga adresa të rreme, është qartë e papranueshme”, tha deputetja e PE-së.
Sipas saj, “shkaktoi shumë zemërim. Prandaj mendoj se do të ishte mirë të bëhej një hetim për atë rast”.
I pyetur se si është e mundur që mendimi i Vladimir Bilçikut (raportues për Serbinë në PE) dhe i saj ndryshojnë, sepse sipas pretendimeve të tij zgjedhjet u zhvilluan mirë, von Cramon thekson se “të gjithë pak a shumë thanë atë që vumë re”.
“Kemi parë dhe dëgjuar për raste të blerjes së votave, pastaj në fushatën e shpërdorimit të burimeve administrative nuk ka pasur kushte të barabarta, sidomos në media, kemi parë sulme ndaj vëzhguesve vendorë, ka pasur edhe gjëra të tjera. Kur të gjitha këto mblidhen, ishte mjaft e qartë se si u krye e gjithë procedura. Sigurisht që dominohej nga kryetari i partisë në pushtet dhe nuk është në përputhje me ligjet zgjedhore. Sidomos sepse Serbia është kandidate për në BE dhe prandaj presim diçka tjetër në Serbi”, ka shpjeguar ajo.
Ajo nuk ka dashur të komentojë për protestat e opozitës dhe qytetarëve për parregullsitë e zgjedhjeve në Beograd.
“Mendoj se duhet të kërkojmë disa zgjidhje të tjera, jo vetëm të dalim në rrugë”, tha ajo. /Ballkani.info/







