Vinicius zbulon se refuzoi Barcelonën për Real Madridin

Vinicius Junior e ka pranuar se ai vendosi ta dëgjojë zemrën kur nënshkroi kontratë me Real Madridin, duke refuzuar një ofertë nga rivali i madh i madrilenëve, Barcelona.

Ylli brazilian Vinicius Junior nënshkroi me Real Madridin në maj të vitit 2017, mirëpo transferimi i tij nga Flamengo nuk u kompletua deri në ditëlindjen e tij të 18-të, në korrik të vitit 2018.

Vinicius menjëherë u përball me shumë presion te Real Madridi, pasi që u bë futbollisti i dytë më i shtrenjtë në historinë e futbollit brazilian – vetëm pas Neymarit, që u shit për 222 milionë euro nga Barcelona në Paris Saint-Germain.

Njëjtë si bashkëkombësi i tij, Vinicius kishte ngjallur interesim nga Barcelona pasi po shkëlqente në Brazil. Por, tani 19-vjeçari thotë se ai gjithmonë e ka ditur se transferimi te Real Madridi do të jetë zgjidhja më e mirë për karrierën e tij.

“Mendoja se nuk ishte e vërtetë, mendoja se ishin vetëm spekulime nëpër gazeta. Kisha propozime nga Real Madridi dhe nga Barcelona gjithashtu. Babai im më tha se unë duhej të zgjedhja dhe se duhej ta ndiqja zemrën”, tha Vinicius për AS.

“Ishte e mrekullueshme. Në Brazil nuk ndodhin këto gjëra, ishte një ditë shumë e veçantë. Isha shumë i stresuar ditën e prezantimit sepse unë duhej të flisja spanjisht dhe ende s’kisha filluar të mësoj”.

“Për më tepër, Ronaldo erdhi aty vetëm për shkak të prezantimit, një legjendë e futbollit si ai. Isha shumë i lumtur. Ishte njëra ndër ditët më të lumtura të jetës time”.

Anësori kaloi nëpër periudha të mira dhe jo të mira në sezonin e tij debutues, duke luajtur 18 herë në La Liga, ndërsa i bëri edhe 13 paraqitje të tjera në Kupën e Spanjës dhe në Ligën e Kampionëve.

Vincius e mbylli sezonin e tij të parë në Santiago Bernabeu me katër gola të shënuara, megjithatë ai arriti ta fitojë edhe një vend në kuadër të ekipit kombëtar të Brazilit.

loading…