Ish-kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Viktor Buzhala, ka reaguar publikisht në mbrojtje të profilit në Facebook “Lule Gjeli”, një profil i njohur për gjuhën fyese dhe sulmet ndaj figurave të opozitës, mediave dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Përmes një postimi në Facebook, Buzhala ironizon ata që, sipas tij, po ankohen se janë sulmuar nga profili “Lule Gjeli”, duke i akuzuar se për vite me radhë kanë zhvilluar fushata kundër Vetëvendosjes.

“Jane tu u marre me nje profil fallco, Lule Gjelin prej djeshit. Po ju jeni lule gjela ne katror ndaj VV’se dhe ndaj secilit qe ua ka preke interesat ju apo shefave te juaj qe 10 vjet, cdo dite te Zotit, e s’po merret kush me ju. E keni terrorizu kete popullate me lloj lloj shpifje, lloj lloj intrige, stigmatizimi e lloj lloj sharje, e tash kishe e gjetem kush po sulmojka. Çelu toke!”, ka shkruar ai.

Reagimi i Buzhalës vjen në kohën kur profili “Lule Gjeli” është bërë objekt kritikash për publikimin e vazhdueshëm të përmbajtjeve fyese, denigruese dhe sulmeve ndaj gazetarëve, politikanëve opozitarë dhe aktivistëve të shoqërisë civile.

Me këtë reagim, Buzhala jo vetëm relativizon kritikat ndaj profilit anonim, por edhe del në mbrojtje të tij, duke e zhvendosur debatin te sjellja e kundërshtarëve të Vetëvendosjes ndër vite.