flet viktima

Viktima e dhunës në familje: Më ka ardhur marre se çfarë po më ndodhë

Mërgime Kajtazi është një nga vajzat që e ka përjetuar dhunën në familje. E reja nga Mitrovica për dy vite rresht u dhunua fizikisht dhe seksualisht nga bashkëshorti i saj, teksa jetonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kajtazi në emisionin “Frontal” në T7, ka rrëfyer se si ia ka dalë që ta përballojë këtë situatë. 

“Ka qenë shumë  e vështirë, fillimisht gjatë periudhës sa kam qenë në atë martesë. Fillimisht ka qenë rasti kur unë nuk ia kam pranuar as vetes dhe mendoj që arsyeja kryesore se pse nuk ia kam pranuar vetes, ka qenë se mua më ka ardhur marre prej vetes se çfarë po më ndodhë”, ka thënë ajo.

Ajo tregoi se ka qenë familja ajo e cila e ka mbështetur atë, pasi kanë dëgjuar se Kajtazi është një nga viktimat e dhunës në familje.

“Pasi i kam treguar familjes se çfarë po ndodhë, e kam pasur mbështetjen maksimale prej tyre dhe I falënderojë edhe sot. Unë nuk do të isha sot këtu po të mos ishin prindërit e mi. Kam thënë që nuk jam e para dhe nuk jam as e fundit që i ka ndodhë kjo. Në duart e një burri shqiptar. Çka unë muj me ba këtë rast është me e mbajtë dhimbjen gjithmonë sepse kjo gjithmonë do të jetë pjesë e imja”, ka thënë ajo. 

E dhuna që ajo e ka përjetuar për dy vite radhazi, sipas saj ka filluar qysh në ditën e tretë të martesës së tyre.

“Dhuna ka nisë tri ditë pasi jam zhvendosur në New York për tu martuar me të. Ka nisë për një përlarje mes çiftit për një arsye shumë të thjeshtë. Aq kam qenë e shokuar për herë të parë saqë tash e mundoj veten se pse kom duru aq shumë. E kam duru 1 vit e gjysmë para se me I tregu familjes. Tani jam në terapi”, tha ajo.

Kajtazi, më tutje tregoi se tashmë ish-bashkëshorti i saj, asnjëherë para martesës nuk ka shfaqur shenja dhune ndaj saj.

“Krejt shoqëria ime e ka dashur për sa sharmant dhe i hareshëm ka qenë. Se si ka arritur ai që me i manipulu një rreth shoqëror timin, familjen time dhe mua. Ai kurrë nuk ka shfaqur shenja dhune e as nuk e ka ngritur zërin kundrejt meje, deri kur kemi ardhur këtu”, deklaroi ajo, në T7.