Temperaturat e ulëta dhe reshjet e vazhdueshme të borës kanë vijuar të krijojnë problematika në Shqipëri edhe përgjatë të dielës së 21 janarit, ku drejtuesve të mjeteve u është bërë apel të tregojnë kujdes.
Sipas një njoftimi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, situata në veri po përmirësohet, por në juglindje të vendit intensiteti i reshjeve të borës po shtohet.
Gjatë natës ka rënë intensiteti i reshjeve të dëborës në zonën Veriore dhe është rritur në zonën Juglindore si në Qafë Thanë-Korçë, ku në pjesën Qafë Thanë-Doganë ka pasur erë të fortë, Zëmblak-Dogana Goricë, Korçë-Ersekë, Korçë-Dogana Kapshticë, në Dardhë dhe në Voskopojë temperaturat kanë qenë në ulje duke shënuar deri në -11 °C në zonat malore.
Grupet e punës me mjetet borëpastruese në terren kanë bërë pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Qarkullimi megjithatë vijon pa probleme.
“Drejtuesit e mjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë kur udhëtojnë për në segmentet me prezencë dëbore, të ulin shpejtësinë, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore”, vijon apeli për shoferët.
Në Dibër, situata mbetet e vështirë, pasi në disa zona të thella ka pasur reshje bore deri në 60 centimetra.
Sa i përket rrugëve nacionale ajo Skuraj-Burrel- Klos është e kalueshme, rruga e Arbrit vijon të jetë problematike për shkak të prezencës së akulli në byppasin e Murrizit.
Rruga Bulqizë – Peshkopi është e kalueshme, ajo Peshkopi – Kukës kalohet vetëm me zinxhirë si dhe Ura e Çerenecit – Librazhd kalimi bëhet vetëm me zinxhirë. Reshjet e borës kanë dëmtuar edhe linjat elektrike duke lënë mijëra banorë pa energji.
Në Korçë trashësia e borës ka arritur deri në 50 centimetra.
Ndërkohë temperaturat minimale gjate natës kane qenë shumë të ulta, deri në – 6, ndërsa aktualisht termometri shënon -2.
Për pastrimin e rrugëve nga bora dhe kriposjen e tyre autoritetet kanë punuar pa pushim në të gjitha akset. Raportohet se në aksin Korçë-Ersekë kanë punuar pesë borëpastruese, në aksin Korçe-Dardhë tre borepastruese dhe në aksin Korçe -Voskopojë dy.
Aktualisht po punohet për të hapur rrugët e brendshme në fshatin turistik të Voskopojës, ndërsa rrugët lidhëse me Gjançin dhe Lubonjën, janë hapur dhe kalohen me zinxhirë.
Sakaq, në majën e Mashkullorës bora ka arritur në mbi një metër trashësi dhe po punohet për hapjen e rrugës.
VIDEO BONUS: Pastrimi i borës në segmentin Kukës-Has nga kompania e njohur Arbotec







