Ka vijuar edhe jashtë sallës parlamentare përplasja mes deputetëve Vullnet Sinaj nga radhët e mazhorancës socialiste dhe Bledion Nallbati, nga radhët e opozitës demokrate, pas konfliktit që të dy patën gjatë seancës plenare të 30 tetorit.

Përmes një fotografie të publikuar nga ambientet jashtë Parlamentit, vihet re se Sinaj dhe Nallbati po i kërkojnë sqarime njëri-tjetrit, mbi atë çfarë ndodhi në sallë.

Megjithatë, detaje të asaj çfarë është thënë mes tyre, nuk janë publikuar.

Një bllokim i mirëfilltë i Parlamentit – ku ka pasur edhe përleshje fizike – ka qenë ai i seancës plenare të 30 tetorit, ku opozita shqiptare ka vendosur sërish të mos zgjedhë rrugën e debatit, por të bojkotit në Kuvend.

Pas vetëm 40 minutash punime, seanca në fakt është mbyllur nga kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, në mënyrë të parakohshme, duke parë se nga radhët e Partisë Demokratike dhe opozitës, nuk ka pasur frymë për diskutime, por vetëm për bllokim.

Punimet nisën me tensione shumë të larta, ku opozita është shfaqur e vendosur për të bllokuar sërish foltoren e Parlamentit.

Pikërisht kështu bëri në fakt dhe në debat u përfshinë deputetë të shumtë nga radhët e PD-së, të cilët nuk lejuan që të vijohej normalisht diskutimi.

Pavarësisht kësaj, kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla, me kërkesën për të vendosur qetësi e rend në sallë, ka filluar t’i japë fjalën deputetëve të mazhorancës, për të ngritur shqetësimet e qytetarëve në seancën plenare.

Kjo, duke folur nga vendi dhe jo nga foltorja e Parlamentit.

Mirëpo, deputetët e opozitës, kanë kërkuar sërish të ndalin fjalën e kolegëve të tyre socialistë, duke ndërhyrë te mikrofoni i deputetit Vullnet Sina.

Seanca menjëherë është ndërprerë pas një përplasjeje fizike mes ligjvënësve shqiptarë.

Kur u pa si i pamundur vijimi i mëtejshëm, ishte pikërisht Nikolla, ajo e cila vendosi ta mbyllë seancën përfundimisht, duke e lënë Kuvendin për të dytën herë radhazi pa punime të frytshme.