VIDEO| Rukiqi: Mirëqenia e qytetarëve po cenohet nga rritja e çmimeve, mullisët nuk prekën nga çmimi i rrymës

Rritja e çmimeve në tregun global ka ndikuar që edhe në Kosovë të rriten çmimet e produkteve ushqimore dhe energjisë eklektike.

Ditë më parë edhe mullisët kanë paralajmëruar që të mos shtrenjtohet energjia elektrike, në të kundërtën sipas tyre do të ketë shtrenjtim të çmimit të miellit dhe bukës. Po ashtu nëpër barnatoret bujqësore kanë filluar të shtrenjtohen edhe imputet bujqësore.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një intervistë për Demokracia.com, ka thënë se mirëqenia e qytetarëve po cenohet nga rritja e çmimeve.

“Nëse nuk ndryshon diçka në të ardhurat e qytetarëve, mirëqenia e tyre po cenohet nga rritja e çmimeve dhe normalisht kjo ka impakte edhe në vend, për shkak se kemi dukshëm ndikim në fuqinë blerëse të qytetarëve”, ka thënë Rukiqi.

Berat Rukiqi thotë se mullisët e bizneset tjera nuk mund të thirren në shtrenjtim të çmimit të energjisë.

Mullisët e bizneset tjera nuk mund të thirren në shtrenjtim të çmimit të energjisë, për derisa ne nuk kemi një vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Për komentet që janë dërguar te propozimet e ZRRE’së nuk parashihet rritje e çmimit të rrymës për bizneset dhe në këtë rast nuk duhej të keqpërdoren situatat të caktuara të cilat lindin dhe nuk i prekin kompanitë e caktuara, derisa të rritet çmimi”, thotë Rukiqi.

Rukiqi shton se tek çështja e çmimeve të energjisë elektrike duhet të rishikohet norma e TVSH’së.

Janë propozuar disa mundësi që kanë shkuar kur është diskutuar çështja e çmimeve të energjisë elektrike. Rishikimi i normës së TVSH’së është një ndër mundësit që mund të bëhet. Të përkrahen kompanitë të cilat janë prodhuese që kanë një kapacitet të caktuar për të cilën është rritur kostoja e lëndës së parë dhe normalisht produktet e tyre po dalin të jenë më të shtrenjtat e këto kompani mund të përkrahen edhe në forma të subvencioneve të ndryshme. Për më shumë mund të ketë politika favorizuese edhe për pjesën e pagave, që se paku kjo kategori do të kishte një ndikim në mirëqenin e tyre”, ka thënë Rukiqi.

Rukiqi thotë se kur nuk lëvizin pagat atëherë është e qartë që ndikon në xhepin e qytetarëve.

Kur nuk lëvizin pagat dhe kur ka një inflacion të dukshëm diku rreth 7%, që ka qenë inflacioni në muajin dhjetor, atëherë është e qartë që ndikimi në xhepin e qytetarëve është shumë i madh. Normalisht në sektorin privat vetëm ka filluar një lëvizje e rritjes së pagave pasi që edhe pjesa e produktivitetit të punëtorëve ndikohet edhe nga stimulimi që ata e marrin”, ka thënë Rukiqi/Demokracia.com/