VIDEO/ Policia shqiptare kap 21 vjeçarin me shpejtësi 209 km/orë

Çmenduri në timon! Aksidentet çdo ditë e më shumë po marrin jetë por shpejtësia vazhdon t’i intrigojë të rinjtë në rrugë. Një 21-vjeçar, R. B., nga Elbasani është konstatuar duke ecur në tunelin e Krrabë-Elbasan me shpejtësi 209 km/ orë gjatë kontrolleve të ushtruara nga policia.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë pezulluar 74 leje drejtimi dhe janë ndëshkuar me masë administrative 3037 drejtues mjetesh, për shkelje të Kodit Rrugor.

Janë pezulluar 54 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara. Gjithashtu janë pezulluar 20 leje drejtimi, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit; Janë arrestuar 11 drejtues mjetesh, nga të cilët 5 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti dhe motomjeti pa leje drejtimi.

Ndërkohë janë vendosur 503 masa administrative për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 402 masa për mospërdorim të rripit të sigurisë, 745 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara, manovra të rrezikshme në rrugë dhe mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara, 231 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse në mjetet me dy rrota, 912 masa për parakalime të gabuara, 212 masa për mos ruajtje të largësisë së sigurisë mes mjeteve dhe 32 masa për shkelje të semaforit.

Policia Rrugore njofton se do vijojë kontrollet intensive të pandërprera duke përdorur të gjitha mjetet logjistike që ka në dispozicion, për të monitoruar sjelljen e të gjithë përdoruesve të rrugës në raport me normat e sjelljes, jo për të “frikësuar”, por për të edukuar dhe parandaluar aksidentet rrugore.