VIDEO/ Policia e Kosovës në veri dënon shqiptarin për mosvendosje të maskës, por njëjtë nuk vepron me serbët

Policia serbe në komunat në veri të Kosovës, po kujdeset për respektim të masave anti-Covid, por duke bërë dallime në mes të banorëve serbë dhe atyre shqiptarë të kësaj pjese.

Një banor ka denoncuar rastin në adresë të Reporterit, duke thënë se banorët shqiptarë në këtë pjesë po dënohen vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

Ai ka dërguar edhe një video, duke treguar se policia serbe e ka dënuar për mosmbajtje të maskës, ndonëse në automjet ka qenë me një familjare.

Rasti ka ndodhur në Zveçan, tek vendi i quajtur Dudin Krsh, derisa ky qytetar thotë se ka qenë duke vozitur një kamion.

Në video ai dëgjohet duke argumentuar me policët duke ju thënë se në automjet ishte me familjarë dhe se nuk ka shkelur ndonjë rregull.

Por pavarësisht kësaj, polici i shkruan dënimin, derisa një tjetër i afrohet duke i thënë të mos incizojë.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës dje ka miratuar masa të reja për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Këto masa pritet të hyjnë në fuqi që nga dita e nesërme.