Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi, ka lëshuar mbledhjen e sotme të Qeverisë, pasi nuk u fut në rend të ditës një prej pikave të cilën e kishte propozuar ai.

Kryeministri Avdullah Hoti tha se do të kujdeset që kjo pikë të futet në rend dite në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, megjithatë, kjo nuk i pëlqeu ministrit Krasniqi.

Ai ka kundërshtuar këtë kërkesë duke thënë se gjithçka është në rregull që të votohet sot.

“Biseduam për këtë çështje që të shtyhet për mbledhjen e ardhshme dhe jo që do të prishte punë, por është shumë interesant se nga data 1 shtator MTI e ka bërë kërkesën që të futet në rend të ditës dhe janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe nuk shoh arsye të shtyhet për mbledhjen tjetër. Është pikë me rëndësi edhe për neve edhe për investitorët strategjikë. Kemi kërkesa edhe nga ambasadat, pse është vonuar kjo pikë e rendit të ditës”, ka deklaruar Krasniqi.

Por, kryeministri Avdullah Hoti, tha se nuk bëhet vonë që kjo të votohet në mbledhjen e radhës.

“Të kuptoj ministër, por besoj që të shtyhet për mbledhjen tjetër nuk është ndonjë vonesë e madhe dhe I qartësojmë të gjitha çështjet me këtë pikë. Unë e marr për obligim që të kujdesemi që të qartësohen të gjitha cështjet që kjo pikë të jetë në rend të ditës”, ka deklaruar Hoti.

Pas kësaj, Krasniqi ka lëshuar mbledhjen.

Derisa Hoti ka folur për çështje tjera gjatë mbledhjes së Qeverisë, ministri Krasniqi ka lëshuar mbledhjen.

Ndërkaq kur atij ia ka kaluar fjalën kryeministri për të sqaruar pikën e parë të rendit të ditës rreth rregullores për Grupet e Produkteve të cilat janë Subjekt i Mbikëqyrjes Inspektuese, tha se meqë ministri nuk është shtyhet për mbledhjen e radhës.