VIDEO| “Pazari” Kosovë-Serbi, Bërnabiq në veri, Bislimi në Luginë

Para se të betohet herën e tretë si kryeministre e Serbisë, Ana Bërnabiq pritet të vijë në Kosovë.

Sipas agjendës së publikuar nga zyra e saj, kryqeveritarja nga Beogradi, të hënën e 5 shtatorit, planifikon të vizitojë Mitrovicën, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Në ardhjen e saj të parë në Kosovë, Bërnabiq do të takohet me serbët për të përcjellë, siç thuhet, mesazhe të paqes dhe stabilitetit.

Ardhja e saj premierë bëhet sipas marrëveshjes mes dy vendeve për vizitat zyrtare.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme në Prishtinë konfirmuan se kryeministrja serbe ka leje përkatëse për të qëndruar disa orë në komunat veriore të Republikës.

Si kundërpërgjigje e kësaj ardhje vjen një shkuarje e qeveritarëve kosovarë, të njëjtën ditë, në Luginë.

Zëvendëskryeministri i parë, që është përgjegjës edhe për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, bashkë me shefen e arsimit, Arbërie Nagavci, pritet të vizitojnë komunat e banuara me shqiptarë – Preshevën dhe Bujanocin.

Pos me përfaqësues të këtushëm politikë në agjendën e dyshes qeveritare janë edhe vizitat në disa shkolla fillore.

Se a kanë marrë leje nga Beogradi për këtë vizitë nuk është konfirmuar ende.

Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, tha se po bëhen gati për t’i pritur mysafirët që, sipas tij, janë niveli më i lartë politik që vijnë nga Prishtina.

Kosova dhe Serbia shpesh kanë zënka për lejimin e ardhje-shkuarjeve të zyrtarëve të vendeve përkatëse. Refuzimet janë më të shpeshta sesa lejimet e vizitave, sidomos nga ana e Beogradit.