VIDEO/ Ndodh çmenduria, portieri shënon gol, fal tij Liverpoolit i mbesin gjallë shpresat për Champions

Portieri Alisson Becker me një gol në sekondat e fundit të kohës shtesë ia siguroi Liverpoolit fitoren 2:1 kundër West Bromit, duke ia mbajtur gjallë shpresat skuadrës së Jurgen Kloppit për top katërshe në Premierligë.

Liverpooli po barazonte 1:1 me West Bromin pas golave nga Hal Robson-Kanu dhe Mohamed Salah, para se portieri brazilian të shënonte me kokë nga një korner në minutën e 94-të në The Hawthorns.

Kjo fitore nënkupton se Liverpooli tani i është afruar në vetëm një pikë vendit të katërt, Chelsea, dy ndeshje deri në përfundim të sezonit.

Të kuqtë do t’i kenë dy ndeshje për ta siguruar një vend në top katërshe të Premierligë, në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, pas një sezoni dëshpërues pa trofe.

Leicester City, që renditet i treti me 66 pikë, tri më shumë se Liverpooli, do të përballet me Chelsean javën e ardhshme.

Përkundër mbizotërimit të hershëm, Liverpooli pësoi pas një çerek ore lojë, kur Robson-Kanu i iku mbrojtjes dhe shënoi për epërsinë e vendasve.

Salah e barazoi rezultatin pas rreth gjysmë ore lojë, kur e la të shtangur portierin me një goditje mjeshtërore nga largësia.

Liverpooli e shtoi edhe më shumë presionin ndaj West Bromit në pjesën e dytë, me Xherdan Shaqirin që u fut në lojë nga Klopp në minutën e 59-të.

Por të kuqve iu nevojit ndihma e portierit në sulm për t’i siguruar tri pikët e plota. Alisson e braktisi portën në aksionin e fundit në ndeshje dhe shkoi në zonën e West Bromit për rivënien e fundit nga këndi.

Braziliani shënoi gol fantastik me kokë për ta mbajtur skuadrën e tij në lojë për top katërshe, synimin kryesor të saj këtë sezon.