Aliu-Durmishi

VIDEO| Ministri Aliu poston një video ku zëvendësi i tij shihet duke shkelur ligjin

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu ka postuar një video në rrjetin social Facebook, ku shihet së bashku me zëvendësin e tij, Hysen Durmishi, teksa shihen duke shkuar për të inspektuar punimet në autostradën e Gjilanit.

Megjithatë, ajo çka ka rënë në sy është se në video shihet se zëvendësministri Durmishin, i cili është duke drejtuar veturën, nuk e ka te vendosur rripin e sigurisë.

Vozitja pa rripin e sigurisë është kundërvajtje që gjobitet me 40 euro, shkruan Ballkani.info.

Postimi i plotë i ministrit:

Lajme të mira, dinamikë intensive

Zvogëlimi i borxheve të mëdha që kemi trashëguar dhe njashtu krijimi i bazës ligjore e planifikuese që mbron mjedisin dhe ekonominë kanë qenë në fokusin tonë deri tani.

Tash projektet e mëdha infrastrukturore po marrin dinamikë të re.

Bashkë me zv. Ministrin Durmishi jemi rrugës për Gjilan, ku do të vizitojmë punimet në autostradën e Gjilanit, teksa janë duke u bërë asfaltime në Lotin 8. Cilësia e punimeve dhe efikasiteti e shpejtësia në kryerjen e punës janë objektivi i vetëm që kemi.

Por kemi edhe një lajm të mirë, siç e keni parë, sot Qeveria ka marrë vendim për shpronësimin e parcelave që prekin trasenë e projektit të madh të rrugës Prizren-Tetovë.

Më lejoni që t`ju njoftoj që qysh sot do të shpallim njoftimin për kontratë për ndërtimin e kësaj rruge.

Përkundër sfidave dhe telasheve të trashëguara, po angazhohemi maksimalisht që projektet të marrin drejtimin e duhur.

Shumë punë e projekte të mira na presin në vijim. /Ballkani.info/