VIDEO | Kraja shpërthen kundër krahut të luftës me tekste të ASHAK-ut, kryeakademikut i kujtohet videoja e Fehmi Lladrovcit

“Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, është teksti skandaloz i publikuar së fundmi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në një tekst prej 39 faqesh, AShAK-u që udhëhiqet nga akademik Mehmet Kraja, i cili e ka botuar analizën edhe në profilin e tij në Facebook, ka hedhur akuza të shumta ndaj ish-pushteteve në Kosovë, duke i akuzuar ato për keqqeverisje, korrupsion e krim.

Për më shumë, nëpërmjet një gjuhe aspak korrekte, AShAK-u e “godet” edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke e akuzuar se e ka futur ndarjen e Kosovës në agjendë për ta shpëtuar veten nga Gjykata Speciale. Në fakt, gjuha e përdorur nga AShAK-u përputhet me narrativën e Lëvizjes Vetëvendosje kundrejt fenomeneve politike e shoqërore në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në analizën e ASHAK-ut flitet edhe për Serbinë, Kishën Ortodokse, BE-në, Planin e Ahtisaarit, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Edi Ramën, Vetëvendosjen, Ali Ahmetin, BIK-un, Turqinë, fundamentalizmin islamik, Gjykatën Speciale e shumë çështje të tjera.

Për më tepër, AShAK-u e akuzon edhe shtetin e Kosovës se “pranoi” njohje të sponsorizuara të shtetësisë në mënyrë korruptive.

“Kosova bëri gabim të madh që pranoi njohje të sponsorizuara në mënyrë korruptive, sepse Serbia, po me korrupsion, njohjet e tilla i bëri pothuajse të papërdorshme etj.”, thuhet në analizën e këtij institucioni.

Duket se Kraja, i cili shpeshherë në publik përmendet si bashkëpunëtor i ish-regjimit të Millosheviqit, po vazhdon t’i nxjerr inatet e vjetra personale me UÇK-në.

Sigurisht se ai nuk ka mundur ta harrojë një video të dëshmorit të kombit dhe aktivistit të Lëvizjes Popullore, Fehmi Lladrovcit, ku dëgjohet duke drejtuar gishtin ndaj tradhtisë së Jusuf Buxhovit dhe Mehmet Krajës, të cilët sipas tij janë njerëzit më të sigurt të Beogradit që kanë bashkëpunuar me UDB-në dhe KOST-in e Serbisë.

“Udhëheqjen e Kosovës e morën disa bashkëpunëtorë të KOST-it dhe UDB-së. Nëse nuk e dini mund t’ua them troç, se kur themeltarë të LDK-së ka qenë Jusuf Buxhovi dhe Mehmet Kraja. Jusuf Buxhovi ka qenë në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Gjermani kur janë vra vëllezërit tanë. Për informata. Ndërsa Mehmet Kraja ka qenë 10 vjet kryeredaktor i revistës “Nasha Armija” (ushtria jonë). Dy njerëzit më të sigurt të Beogradit. Edhe e dini shumë mirë, fort mirë, vetë Mehmet Kraja e shkruan në pesë vitet e humbura, Rexhep Qosjës iu ka ofruar mandati nga Jusuf Buxhovi që të bahet kryetar i LDK-së, kush është Jusuf Buxhovi t’i ofron Qosjes, me një qëllim të caktuar që Rexhep Qosjen ta nokautojnë politikisht, që s’pranoi ky me u ba kryetar. Qëllim i caktuar dhe i matur mirë nëpër kuzhinat e Beogradit”, thoshte heroi Lladrovci.

Fehmi Lladrovci u vra më 22 shtator të vitit 1998 në Gradinë të Gllanasellës bashkë me Xhevë Lladrovci-Krasniqin, bashkëshorten e tij. /Demokracia.com/