VIDEO/FOTO| Hipokrizia e Vjosa Osmanit, në 2015-ën e dinte pse duhej të themelohej Gjykata Speciale

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk e ka mbështetur Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë kundër raportit me shpifje e trillime të ish-senatorit zviceran, Dick Marty. Ajo u mundua ta zbeh atë, duke thënë se nuk ka fuqi juridike dhe ‘mos prisni përshëndetje speciale për të’.

Ajo ka thënë se nuk harron se kush ka insistuar më së shumti që të formohet Gjykata Speciale, duke aluduar në ish-presidentin Hashim Thaçi.

Megjithatë, në vitin 2015 ishte vetë Osmani, që kishte treguar pse duhej të formohej Gjykata Speciale dhe çfarë dëmesh mund t’i bëheshin vendit nëse Kosova nuk e themelonte atë vetë.

Dëgjoni fjalimin e deputetes Vjosa Osmani në mbështetje të themelimit të Gjykatës Speciale, duke thënë se po mbrojmë interesat e vendit nga një skenar më i keq:

Po ashtu, pas disa replikave me ish-ministrin Besim Beqaj, Vjosa Osmani edhe para se të themelohej Gjykata Speciale e dinte kënd do ta merrte Gjykata Speciale, duke i thënë Beqajt se Specialja ishte krijuar për kryetarin e atëhershëm të PDK-së, Hashim Thaçin, si dhe rrethin e tij.

“Besim Beqaj paska deklaruar se Isa Mustafa mund të arrestohet. Si duket e paska ngatërruar me kryetarin e tij, sepse për të dhe rrethin e tij është krijuar Gjykata Speciale”, kishte deklaruar Osmani në maj të viti 2014.

Ndërkohë, ish-shefi i Osmanit, Isa Mustafa, ka folur sot edhe rreth deklaratës së papërgjegjshme të Osmanit, e cila ka thënë se nuk duhet harruar se kush kishte insistuar dhe kush kishte bërë presion për themelimin e Gjykatës Speciale.

Duke treguar sikurse edhe në të kaluarën maturi politike dhe korrektësi njerëzore, Mustafa ka thënë se nuk është e vërtetë që e kanë shtyrë përpara themelimin e Gjykatës Speciale njerëzit që sot po mbahen në paraburgim në Hagë. Ish-kryeministri Mustafa ka thënë se është papërgjegjësi të thuhet një deklaratë e tillë nga liderët e Kosovës.

Sipas tij, Specialen e kanë shtyrë përpara ndërkombëtarët dhe se të njëjtit janë shprehur qartë që nëse nuk e bën Kosova do të themelohet një gjykatë nga Këshilli i Sigurimit me nismën e Rusisë dhe Kinës dhe se një gjë e tillë nuk do të kundërshtohet nëse Kosova nuk e themelon. /Demokracia.com/