VIDEO/ Emergjenca në QKUK jep detaje: 9 persona të lënduar po trajtohen pas shpërthimit në Ferizaj

9 persona të lënduar nga shpërthimi i bombolës në një lokal në Ferizaj janë duke u trajtuar në emergjencën e Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Emergjencës në QKUK, Basri Lenjani ka treguar pwr KosovaPress se të lënduarit që po trajtohen në këtë klinikë kanë lëndime të shkallës së dytë, djegie në fytyrë, djegie të ekstremiteteve të sipërme e të poshtme dhe të trupit.

“Nëntë persona të lënduar nga shpërthimi që ka ndodhur në Ferizaj tani janë duke u trajtuar në Emergjencën e Klinikës Universitarë të Kosovës. kanë lëndime të shkallës së dytë, kanë djegie të fytyrës të ekstremiteteve të sipërme, të poshtme dhe të trupit”, tha Lenjani për KosovaPress.

Ndërkaq në këtë shpërthim kanë mbetur të lënduar 31 persona.

Majori i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Qazim Reka për KosovaPress ka thënë se “Një bombol e gazit ka shpërthyer në një lokal ushqimi në Ferizaj. Deri më tani dihet për lëndimin e 31 personave. Për momentin janë të gjithë në spital. Shtatë prej tyre janë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës , ndërsa të tjerët janë duke u trajtuar në emergjencën e spitalit. Fatmirësisht deri më tani nuk raportohet për vdekje”.