Sot në hapësirën e parkingut të administratës së QKUK-së, ka ndodhur një incident që përfshin dëmtimin e veturës private të ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKUK-së.

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), vetura ishte e parkuar në oborrin e administratës në momentin kur po bëheshin përgatitjet për mbledhjen e rregullt të Bordit Drejtues të ShSKUK-së. Rrethanat në të cilat ka ndodhur dëmtimi i mjetit mbeten ende të paqarta.

Menjëherë pas incidentit, janë njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, e cila tashmë ka filluar procedurat hetimore për zbardhjen e rastit.

ShSKUK ka shprehur shqetësim dhe keqardhje lidhur me këtë ngjarje dhe ka ofruar bashkëpunimin e plotë me autoritetet përkatëse për hetimin e mëtejshëm.