Vettingu në drejtësi, afati prej 24 muaj i pamjaftueshëm që të ketë proces të suksesshëm

Ministrja e re e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në ditët e para të punës ka paralajmëruar se procesi i vettingut në drejtësisë do të bëhet brenda 24 muajve.

Ky proces po shihet i domosdoshëm dhe i dobishëm për sistemin e drejtësisë, duke e parë që vitet e fundit ka pasur rënie të kredibilitetit, transmeton Indeksonline.

Por, afati prej 24 muajsh nuk po duket i mjaftueshëm që ky proces të jetë i suksesshëm.

Dy avokatët e njohur kosovarë, Kujtim Kerveshi dhe Argjent Tigani në prononcim për Indeksonline u shprehë se duhet një afat më i gjatë që vettingu të jetë i suksesshëm, i drejtë dhe i paanshëm.

Sipas Tiganit, procesi i vettingut do ta kthej besimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

“Mendoj se fillimisht Kosova ka nevojë imediate për miratimin e një ligji për ‘vetting’-un dhe ndryshimet e nevojshme Kushtetuese, mirëpo duke u nisur nga ky këndvështrim koha prej 24 muajve duke llogaritur se pari edhe procesi e miratim te ligjit te veçantë për ‘vetting’-un, nuk është kohe e mjaftueshme dhe për te pasur një vetting te suksesshëm dhe te drejte, paanshëm dhe te pavarur, procesi duhet të jete i qartë duhet te ketë një afatet dhe kohëzgjatje te arsyeshme, me qene ky proces i verifikimit (vettin-gu) është shume kompleks dhe gjithashtu nevojitet edhe përfshirja e partnereve ndërkombëtar, dhe krejt këtë për te siguruar një proces te drejte, paanshëm dhe te pavarur e te mos jete selektiv, dhe një rol dhe kontribut te madhe ne këtë proces, do te jepnin sidomos Shtete te Bashkuara te Amerikës.”

“Me një proces te mirëfilltë dhe te suksesshme te ‘vetting’-ut, Kosova do kthej besimin e qytetarëve ndaj institucioneve dhe do të përmirësonte imazhin e saj tek ndërkombëtarët, pasi që Kosova është në procesin e integrimit në BE.”, tha avokati Tigani.

Tutje, avokati i njohur beson se vettingu duhet të trajtohet me kujdes.

“Unë mendoj se ‘vettin’-gu, është me se i domosdoshëm ne Republikën e Kosovës, e sidomos për gjyqësorin, prokuroritë dhe organet e ndjekjes penale në përgjithësi, është procesi i verifikimit që synon përjashtimin e zyrtarëve ne sistemin e drejtësisë të cilët nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrave te tyre. Është mënyra e vetme që ne të kemi përsëri besim në institucione, ashtu qe me këtë proces do te mundësonte që t’i pastronte zyrtarët e korruptuar në vend, duke kërkuar nga zyrtare institucional qe te japin me shume llogaridhënie, te ketë me shume efikasiteti, te jene transparent dhe profesional, ku me ketë do te shton edhe me shume besimin e qytetare ne sistemin e drejtësisë ne përgjithësi.”

“Një sistem i drejtësisë i cili nuk është në gjendje që të ofrojë drejtësi qytetarëve te Kosovës, kur kemi mungesë ekstreme të rezultateve kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kur kemi individë brenda sistemit të drejtësisë të cilët përfliten se kanë lidhje me politikën apo grupet e interesit, atëherë sigurisht që e vetmja zgjidhje për të pastruar këtë sistem është ai i verifikimit, apo siç quhet ndryshe procesi i ‘vetting’-ut.”

“Gjithsesi procesi i ‘vetting’-ut, duhet të trajtohet me kujdes dhe të shohim se si do të arrijmë që të nxjerrim jashtë sistemit personat të cilët janë të kriminalizuar ose kanë rritje të pasurisë se tyre të paarsyeshme, dhe  veprime të tjera të cilat dëmtojnë imazhin e punës së tyre si gjyqtarë, prokurore apo edhe zyrtare policore, kjo për faktin se me këtë do te arrihet suksesi i gjithë procesi te ‘vetting’-ut.”, përfundoj avokati i njohur, Argjent Tigani.

Ndërsa Kujtim Kerveshi e sheh si të nevojshëm vettingun si të domosdoshëm pasi, profesionalizmi, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria nuk është ne nivelin e kërkuar.

“Vettingu është detyrimisht i nevojshëm. tashme jemi dëshmitar te rënies se kredibilitetit te institucioneve te drejtësisë dhe punëve te brendshme për shkak të skandaleve të një pas njëshme, uljes se cilësisë ne pune po ashtu!”

“Profesionalizmi, përgjegjësia dhe përgjegjshmëria nuk është ne nivelin e kërkuar.”

“Një sistem i filtruar tutje përmes një vettingu gjithëpërfshirës nga mekanizma te kontrollit te pavarur do te krijonte edhe klime me te mire për sigurinë juridike por edhe për investitorët e huaj. Ky proces nuk mund te kthehet ne një arme hakmarrëse ndaj zyrtarëve. Prandaj ky proces duhet te zhvillohet përmes ndihmës se tre shteteve mike dhe organizatave vendore kredibile te cilat kane njohuri ne monitorimin dhe vlerësimin e sektorit te drejtësisë. Procesi ne vlerësim përfundimtar duhet te jete transparent për secilin. Andaj, vettingu do te duhet te ishte nje nga objektivat kryesore te qeverisë së re.”, u shprehë Kerveshi.

Sipas avokatit, afati prej 24 muajsh është tejet ambicioz për përmbushjen e procesit të vettingut.

“Që kur kam qenë anëtar i Këshillit Prokurorial, kam bërë thirrje për një vetting gjithëpërfshirës të drejtësisë që nga viti 2011. Një vetting të tillë çfarë edhe është i nevojshëm nuk besoj se mund të përmbyllet suksesshëm për 24 muaj. Mendoj se ky afat është tejet ambicioz. Theksoj se institucionet tona nuk disponojnë me mekanizma efikas të kontrollit të cilësisë së punës së zyrtarëve të institucioneve të drejtësisë, policisë dhe Agjencisë së Inteligjencës. Andaj, konsideroj se një proces i tillë për të arritur rezultatin e kërkuar do të duhet të behej në një afat të mundshëm dhe real. Institucionet tona duhet te marrin mësim edhe nga gabimet e bëra dhe trajtimi sipërfaqësor i kontrollit te së kaluarës qe është zhvilluar paraprakisht ne Kosove dhe mbi bazën edhe te këtij mësimi, te nxjerrin konkludimet e sakta.”, përfundoi avokati i njohur, Kujtim Kerveshi.

Ministrja Albulena Haxhiu me të marrë detyrën ka thënë se sistemi i drejtësisë do të filloj të çlirohet momentin kur fillon vettingu.