Autoritetet ruse po bëjnë shumë pak për ta ndaluar dhunën në Ushtrinë Rusë, sidomos ndaj rekrutëve të rinj. Gjendja në ushtrinë ruse përshkruhet e tmerrshme nga gazeta opozitare “Novaya Gazeta”.
Ky medium, nga të paktit që ka mbetur i pavarur në Rusi, ka kryer një hulumtim për gjendjen në Ushtrinë Ruse, që presidenti Vladimir Putin, krenohet me të. Më 4 tetor të këtij viti u bë e ditur se një ushtarak kreu vetëvrasje pranë vendit Petrozavodsk në Rusi.
Një javë para kësaj, dy rekrutë vdiqën në Urale, e që sipas udhëheqjes së njësisë ushtarake, njëri prej tyre kreu vetëvrasje, dhe i dyti u arratis nga njësia dhe vdiq, duke u ngjitur në linjën e energjisë.
“Novaya Gazeta” studioi 4,000 vendime gjyqësore për dhunën në ushtri dhe zbuloi se ushtria ruse gjithnjë e më shumë po bëhej e tmerrshme për rekrutët e rinj. Statistikat gjyqësore tregojnë se në Rusi çdo vit jepen më shumë se 700 dënime për krime që lidhen me dhunën në ushtri. Për të zbuluar se ku është problemi, Gazeta ka shikuar të dhënat për këto raste gjatë pesë viteve të fundit.
Nga viti 2016 deri në vitin 2020, gjykatat dhanë pothuajse katër mijë dënime për ushtarakët, të cilët rrahën dhe ofendonin kolegët e tyre. Një e treta e tyre janë në pesë rajone: Rajoni i Moskës, Territoret e Primorsky dhe Khabarovsk, Rajoni i Rostovit dhe Moska. Gjatë kësaj kohe, këtu janë shqyrtuar nga 140 deri në 430 raste të tilla. Vitet e fundit, gjykatat kanë filluar gjithnjë e më shumë t’i lirojnë ushtarakët e akuzuar sipas neneve 334-336, ose të mbyllin çështjet kundër tyre. Kjo rrjedh nga të dhënat e departamentit gjyqësor nën Forcat e Armatosura të Federatës Ruse.







