Vetëvendosje zbulon informacione: Serbi që u arrestua dje rrahi dy të rinjtë shqiptarë tek Ura e Ibrit

Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një video ka bërë të ditur se serbi i arrestuar dje Milun Milenkoviq, i njohur si “Lune”, ishte ai që sulmoi dy shqiptarët në Mitrovicën e Veriut.

VV-ja e njofton këtë me anë të ‘Facebook’-ut, duke shënjuar “Lunen” në video përgjatë momentit të dhunës.

“Prijësi i bandave fashiste që sulmoi KFOR-in, Policinë e Kosovës, dhe dy të rinjtë shqiptarë, Milun Milenkovic – Llune, që njëherazi është edhe njëri prej udhëheqësve të formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” u arrestua dje nga Policia e Kosovës”, thuhet në postimin e VV-së.

“Lune”, siç raportojnë mediat, dyshohet për tri vepra penale, ndër të tjera edhe për terrorizëm.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se serbi i arrestuar ishte pjesë e Mbrojtjes Civile dhe tha se i njëjti sulmoi zyrtarët policorë të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarë të KFOR-it.

Dy shqiptarë u rrahën barbarisht më një qershor në pjesën veriore të Mitrovicës, teksa po shetisnin atje.

Videoja e shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje: