“Vetëvendosje po e zgjedh presidenten falë bekimit të Vuçiqit”

Analisti politik, Fitim Salihu, po thotë se presidentja po përzgjedhet falë bekimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, nëpërmjet deputetit të Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha.

Salihu, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, deklaroi se Hoxha ishte pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, derisa përmend edhe veprimtarinë e tij në strukturat paralele serbe në Kosovë.

“Adem Hoxha ka qenë dhe është deputet i Aleksandër Vuçiqit. Përpos që ka qenë në grupin parlamentar të Srpska Listës, ai po ashtu ka qenë kryetar i komunës paralele të Gorës në kuadër të strukturave paralele të Republikës së Serbisë”, ka deklaruar ai.

“Pra, Adem Hoxha as voton dhe as e mundëson kuorumin pa bekimin e Vuçiqit. Rrjedhimisht, edhe Vetëvendosja po e zgjedh Presidenten me bekimin e Vuçiqit. #AkshamPazar”, ka shkruar tutje njohësi i rrethanave politike.

Kreu i partisë së goranëve, ka takuar sot kryeministrin Albin Kurti, i cili si shkëmbim të votes për president, kreu i ekzekutivit e ka shpërblyer Hoxhën me një post të zv. Ministrit.

“Po do të marrë pjesë në seancën ku do të zgjidhet presidenti. Unë nuk jam për të shkaktuar bllokadë institucionale. Po si parti do ta kemi edhe një pozitë të zv.ministrit”, ka deklaruar gjatë ditës së sotme Hoxha.