Vetëvendosje në Shqipëri: Policia të ndalojë dhunën në Astir, mund të kishte patur viktima!

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri i ka bërë thirrje forcave të policisë të ndalojnë dhunën ndaj banorëve të Astirit.

Në një postim në rrjetin social, qendra e “VV” në Shqipëri është shprehur se dhuna mund të kishte dhe pasoja e viktima në njerëz. “VV” shkruan se projekti i Unazës së Madhe të Tiranës është një skandal i dukshëm korruptiv, duke nisur që nga skandali me zbulimin e kompanisë “DH Albania”, fituesja e lotit të parë e cila rezultonte të ishte një kompani fantazëm.

Këtë të martë policia është përplasur ashpër me protestuesit fill pas nisjes së një aksioni të Ispektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, që ka shkuar në zonë për të prishur 33 godina.

Reagimi i Vetëvendosjes

Dhuna sistemike mori sot formën e dhunës direkte te Astiri

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ka ndjekur me shumë shqetësim të gjitha ngjarjet që janë zhvilluar mëngjesin e sotëm në zonën e “Astirit” pranë “Unazës së Re” në Tiranë, ku qytetarët kanë muaj që protestojnë pas skandaleve të një projekti korruptiv infrastrukturor me kompaninë “DH Albania”. Siç është raportuar edhe nga mediat, rreth 13 persona, qytetarë dhe pjesëtarë të Policisë, janë lënduar gjatë aksionit të sotëm të Policisë dhe po marrin shërbim pranë spitalit Universitar të Traumës. Sakaq, mediat kanë raportuar gjithashtu se rreth 10 protestues të tjerë janë arrestuar, mes tyre edhe pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, e disa edhe janë keqtrajtuar gjatë arrestimit.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri bën thirrje së pari për ndaljen e të gjitha veprimeve nga ana e organeve shtetërore që mund ta tensionojnë situatën edhe më tej duke shkaktuar lëndime dhe viktima.

Korrupsioni, skandalet, parregullsitë dhe standardet e dyfishta e kanë karakterizuar të gjithë procesin e projektit të “Unazës së Re”. Një shtet i së drejtës nuk ndërtohet përmes një pushteti arbitrar me dhunë strukturore e direkte ndaj qytetarëve. Çështja e pronave në zonën e “Astirit” duhet të zgjidhet duke përdorur një standard të drejtë e të barabartë për të gjithë qytetarët.

Shpresojmë në shërimin sa më të shpejtë të të gjithë të lënduarve, qytetarëve protestues dhe pjesëtarëve të Policisë, dhe kërkojmë lirimin e protestuesëve që po mbahen të arrestuar padrejtësisht.

Tiranë, 12 nëntor 2019

Lëvizja VETËVENDOSJE!
Qendra në Shqipëri

loading…