Vetëvendosje në Shqipëri anulon “Marshimin për Bashkim” më 28 Nëntor

Nisur nga situata emergjente e krijuar nga tërmeti i mëngjesit të sotëm Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri njofton se ka anuluar Marshimin për Bashkim që do të mbahej ditën e 28 Nëntorit në Tiranë, ka konfirmuar kjo qendër përmes faqes në Facebook.

“Aktivistët e Qendrës janë duke ndihmuar në mënyra të ndryshme qytetarët e Shqipërisë të dëmtuar nga tërmeti dhe të gjitha energjitë tona në ditët në vijim do të përqendrohen në këtë drejtim”, thuhet në njoftim, transmeton Koha.net.

Ajo ka ftuar qytetarët që të solidarizohen me të prekurit nga tërmeti.

“Duke shprehur edhe një herë dhimbjen tonë për viktimat e tërmetit, ftojmë të gjithë shqiptarët që të solidarizohen e t’u qëndrojnë pranë familjarëve të viktimave, të plagosurve dhe të gjithë atyre që kanë nevoja urgjente. Të bashkuar tani dhe kurdoherë”, njofton Lëvizja Vetëvendosje – Qendra në Shqipëri.