Vetëvendosje: Kosova po përgatitet si asnjëherë më parë për anëtarësim në NATO

Lëvizja Vetëvendosje përmes një videoje të publikuar në Facebook, thotë se pas 23 vitesh që NATO hyri në Kosovë për ta ndaluar luftën e Serbisë, është e domosdoshme që Kosova të anëtarësohet në aleancën veri-atlantike.

Partia e Kurtit ka rikujtuar kohën kur krimineli Sllobodan Millosheviqi, kryente spastrim etnik dhe gjenocid ndaj civilëve të pafajshëm në Kosovë, veprime këto që çuan në intervenimin e NATO-s.

“Ne festojmë këtë ditë sepse NATO i dha goditjen e fundit një Jugosllavie që në emër të socializmit shtypte dhe shfrytëzonte popujt e tjerë brenda saj. E festojmë sepse një kriminel sikur Millosheviqi që kreu spastrim etnik e gjenocid ndaj civilëve të pafajshëm, më pas u arrestua dhe u burgos për krime kundër njerëzimit”.

“23 vjet më vonë, zhvillimi ynë, shteti dhe shoqëria jonë, mbrojnë rrëfimin e intervenimit të NATO-s. 23 vjet më vonë, Kosova po përgatitet si asnjëherë më parë për anëtarësimin e saj në NATO”, thuhet në videon e publikuar nga VV.

Partia në pushtet thotë më tej se “Ukraina sot e ka Rusinë në territorin e saj, kurse ne e kemi Serbinë në territorin e Rusisë”.

“Serbia jo që nuk iu bashkua sanksioneve të perëndimit ndaj Rusisë, por ajo ende nuk ka hequr dorë as nga Sllobodan Millosheviqi”, thotë VV, derisa shton se për t’u mbrojtur nga kjo mendësi e rrezikshme, është e domosdoshme që Kosova të anëtarësohet në NATO.