Vetëvendosje kërkon zgjedhje, thotë se rreziku për ndarjen e Kosovës ende ekziston

Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, që Vetëvendosje e vlerëson “marrëveshje për falje të territorit”, është parapërgatitje për ndarje të Kosovës.

Kështu tha deputeti Liburn Aliu në një konferencë të thirrur nga VV-ja të mërkurën, në përvjetorin e pestë të kësaj marrëveshje.

“Nënshkrimi i marrëveshjes e sjell pyetjen logjike për atë që ndodhi në Vjenë më 25 gusht 2018, ku moderatori iu drejtua (presidentit) Thaçit se a je i gatshëm të japësh territor për marrëveshje dhe Thaçi tha ‘po’. Marrëveshja për t’i dhënë Malit të Zi territor është përgatitje e terrenit për ndarje. Gënjeshtër tjetër që përcolli këtë marrëveshje është liberalizimi i vizave. Është kërkuar që të mos miratohet kjo marrëveshje sepse nuk kishte garanci për liberalizim të vizave. Me PAN-in, liberalizimi vetëm sa na u largua. Ne vazhdojmë të jemi të bindur se vazhdojnë përpjekjet për rrudhje të territorit të Kosovës dhe kjo marrëveshje ishte inkurajim për vendet tjera dhe Serbinë”, ka thënë Aliu.

Ai përsëriti kërkesën e VV-së, që sipas saj është edhe zgjidhja e vetme në këtë kohë krize.

”Vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, shtoi Aliu.

Kurse deputeti Shpejtim Bulliqi ka thënë se në vend të demarkimit ka ndodhur delimitimi.

“Në vend që të ruhen kufijtë administrativë të Kosovës në Jugosllavi, komisioni i Murat Mehës është ulur dhe ka bërë delimitim dhe jo demarkim të kufirit. Ish-komisioni është marrë vesh me malazezët që të vendoset kufiri mbi kriterin e kadastrit. Në vend të demarkimit ka ndodhë delimitimi dhe caktimi i një pike të re kufiri”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se komisioni ynë nuk ka pasur fatin që t’i krijohen kushtet që të ulet me palën malazeze dhe t’i paraqesin gabimet që kanë ndodhur.

“Tashmë qeveria Hoti ka shfuqizuar vendimin për komisionin. Është keq që vendi tash është pa komision dhe do të presim se si do të veprojë Qeveria. Priten probleme që të ndodhin në demarkimin me Serbinë. Nëse shkohet edhe me Serbinë sikur me Malin e Zi, pasojat do të jenë të mëdha. Çdo hapje e temave për korrigjim të kufirit do të ketë pasoja të mëdha”, ka thënë Bulliqi.

Liburn Aliu tutje ka folur edhe për mundësinë e rikonfigurimit të Qeverisë, për të cilën thotë se praktikisht PDK-ja është pjesë e saj.

“PDK praktikisht është pjesë e Qeverisë, është një lojë e dyfishtë e PDK-së që më parë ka qenë PSD-ja me miratim të buxhetit. Marrëveshjes me Serbinë duhet t’i paraprijë një legjitimitet të ri përmes zgjedhjeve. Me këtë qeveri do të kemi vetëm vazhdim të degradimit”, ka thënë Aliu.