Vetëvendosje i thotë jo kërkesës së SHBA-së për Asociacionin, opozita e quan përgjegjësi të Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje i ka thënë jo kërkesës së Shtetetve të Bashkuara të Amerikës për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Veç tjerash në këtë takim u ritheksua qëndrimi i LV kundër themelimit të një asociacioni dhe çdo marrëveshje tjetër mbi baza etnike. Republika e Kosovës ka një nga sistemet më të mira në botë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve jo shumicë, brenda kornizave ligjore/kushtetuese, thanë përfaqësuesit e LV gjatë takimit.”, u tha sot në një njoftim të Vetëvendosjes.

Ky kundërshtim erdhi pas një shkrimi autorial nga Derek Chollet, këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, i dërguar i Posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, përmes të cilit I kanë bërë thirrje Qeverisë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Gjatë javëve të shkuara, së bashku me Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në, kemi udhëtuar në Beograd dhe Prishtinë për të inkurajuar të dyja palët që të pranojnë propozimin e BE-së për të dy vendet që të normalizojnë marrëdhëniet, të ndërkrejnë ciklin e krizave dhe konfrontimit, dhe të çojnë përpara me vendosmëri integrimin e tyre evropian. Kjo është mundësi historike që ne besojmë të dy palët duhet ta shfrytëzojnë”, thuhet në tekstin e tyre.

Edhe partitë opozitare kanë reaguar pas kësaj kërkese të SHBA-së.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pozita nuk mund t’i jap drejtim Asociacionit, dhe se kjo gjë i takon kryeministrit Kurti.

“Ne si opozitë nuk jemi përgjegjës për t’i dhënë drejtim një çështjeje të tillë. Në këtë rast kryeministri i vendit nuk mund t’i ikë përgjegjësisë, i kemi thënë nëse je kundër sille në kuvend po e rrëzojmë me vota, ai nuk ka guxim ta bëjë asnjë veprim, ky njeri i papërgjegjshëm duhet të japë drejtim”, ka thënë Tahiri sot në konferencë për media.

Një qëndrim të tillë e ka dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Kjo parti ka vlerësuar se krijimi i Asociacionit është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë.

“Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë. Kompetencat dhe përgjegjësitë kushtetuese nuk kanë alternativë, prandaj LDK-ja, në rolin e saj opozitar, s’ka se si t’i ushtrojë ato. Opozita nuk mund t’i marrë përgjegjësitë e shumicës dhe as të Qeverisë së kësaj shumice. Prandaj pjesëmarrja e institucioneve shtetërore në këtë proces është domosdoshmëri e pazëvendësueshme”, thotë LDK ndër ët tjera.

Kurse, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Serbia dhe fatkeqësisht edhe Kurti, po e përdorin Asociacionin për ta penguar marrëveshjen e madhe.

Haradinaj ka thënë se diskutimet dhe konsultat për Asociacionin kanë vetëm një synim, heqjen e pengesave të fundit drejt marrëveshjes së madhe me Serbinë, për njohje të ndërsjellë.

Sipas tij, ky është një obligim i marrë që duhet të zbatohet në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe këtu çështja mbyllet.

“Prandaj të gjithë ata që asociacionin e paraqesin si çështje problematike, nuk e kanë hallin te asociacioni, por duan që asociacionin ta përdorin si “mbulesë” për ta kundërshtuar marrëveshjen e madhe”.