Vetëvendosje është partia e vetme që nuk e dënoi dhunën ndaj gazetarit Syla, madje anëtarja e saj ofroi para për ta rrahur

Gazetari, Valon Syla u sulmua fizikisht gjatë ditës së martë në Prishtinë. Lidhur me këtë rast reaguan shumë kolegë e politikanë në vend. Sidoqoftë, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk pati as edhe një deklaratë në mbrojtje të fjalës së lirë.

Politikanë, deputetë e liderë të shumtë të subjekteve politike kanë reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit Valon Syla.

I njëjti, u sulmua nga tre persona gjatë ditës së martë në lagjën Pejton në Prishtinë, e që më pas i lajmëroi në polici të cilët po merren me rastin.

Sidoqoftë, reagim lidhur me këtë ngjarje nuk pati edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, apo nga lideri i kësaj partie Albin Kurti.

Ka qenë anëtari i kryesisë së VV’së, Glauk Konjufca që në një emision e quajti “akt të shëmtuar” këtë ngjarje, por nuk pati ndonjë deklaratë tjetër.

Në fakt, përpos që nuk reaguan në mbrojtje të fjalës së lirë, pati të tillë nga kjo parti që edhe bën thirrje për sulme ndaj gazetarit Syla.

Pro sulmit të tij është shprehur ish-kandidatja e Vetëvendosjes për deputete, Valbonë Bajrami.

Bajrami përmes një shkrimi në Facebook, është shprehur se kushdo që e bën për spital Valon Syla 500 euro i ka nga ajo.

Sipas saj definicioni i fjalës së lirë nuk duhet të “dallashitet” me ofendime e paragjykime të rënda.

“Kush e bon për spital Valon Sylën, 500 i ka prej meje dhe ka 100 për secilin banalist që ja dallashitë defenicionit të fjalës së lirë, me ofendime dhe paragjykime të randa. Atyne që ja u dhajnë ka një flakareshë, sepse atë që e thotë Valoni e konsiderojnë mendim, I kanë ka 10 euro. Që a kam harru naj nënkategori, ju kërkojë ndjesë.”, ka shkruar ajo.

Ndryshe, Valbona Bajrami kishte kandiduar si deputete për Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet qendrore të vitit 2017.