Vetëvendosje e ‘zhdukë’ edhe komunikatën “Vetoni i puplave”: Surroin e quanin endacaku i kompromisit

“Vetoni i puplave”, mbante titullin një komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje e cila deri para pak ditësh ishte në faqen zyrtare të kësaj partie.

Bëhej fjalë për Surroin një person tashmë të afërt me këtë parti, e të cilit kjo Lëvizje, i referohej si ‘Vetoni i Puplave’ asokohe.

Kjo nuk është komunikata e parë që Lëvizja Vetëvendosje e fshinë nga faqja e saj, ndërsa në këtë shkrim përveç për Surroin ata flisin edhe për Hashim Thaçin, dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së.

Derisa në këtë shkrim thuhej se Serbia po e luan kartën e saj të re: kantonizimin e Kosovës së brendshmi (me komuna serbe) dhe federalizimin së jashtmi në raport me Serbinë, sipas këtij shkrimi derisa po ravijëzohej ndarja e Mitrovicës Hashim Thaçi po pinte champaigne me James Rubinin restoraneve të Prishtinës.

Ndërkohë, që ambasadori rus në OKB shprehej se 10 dhjetori nuk do të jetë fundi i këtij tregimi të negociatave 120 ditësh, Surroi, sipas Lëvizjes Vetëvendosje, zdërhallej fshatrave të Kosovës duke predikuar pritjen dhe përulësinë.

“‘Duhet ta përgatisim vendin për pavarësi’ shprehej një ditë prej ditësh endacaku i kompromisit, Surroi. ‘Përgatitje për pavarësi’ na siguron për së dyti televizioni i tij, KTV–ja. Por, as Surroi as KTV–ja nuk thonë se çfarë përgatitjesh bëkan për të ‘përgatitur’ qytetarët për ‘pavarësi’!? Përgatitje për pavarësi, po thonë!?”, theksohej në komunikatë.

Tutje, sipas po këtij shkrimi, dukej që Lëvizja Vetëvendosje, ngriti edhe një pyetje, duke thënë se Kosova është eksperiment prej botës.

Ndërsa sipas shkrimit të VV-së, Surroi, shtyu qytetarët që të mos demonstonin, që sipas tyre, ta mbrojnë vendin e tyre, por të pritnin dhe ta ruajnë gjakftohtësinë.

“Vetoni, shpura, televizioni i tij dhe askush tjetër nuk e di se pikërisht nga populli do të ndodh saktësisht e kundërta: ‘gjakftohtësia’ do të bëhet gjaknxehtësi dhe ‘përulësia’ do të bëhet kryengritje. Krejt, kjo si reaksion i mirëfilltë i popullit në kuadër të riorganizimit kombëtar. ‘E rrugën tonë me premun dojshin ata që n’pupla jetën kanë kalue’ kish pas thënë dikur Qemal Stafa. Një i tillë i rritur ndër pupla është edhe Vetoni”, përfundonte kjo komunikatë ku paralajmëronte rizgjimin e qytetarëve.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje tashmë ka fshirë edhe komunikatën ndaj Presidentit amerikan Joe Biden, që dikur lideri i VV-së së bashku me bashkëpunëtorët e tij në VV, i kishin kushtuar një komunikatë me titullin “Bideni e di mirë…”, ku thuhej ndër të tjerash se si deputetët duartrokasin deri në delir si ndonjëfarë sekti primitiv, ndaj fjalimit të Biden në Parlamentin e Kosovës.