Vetëvendosja i quan partitë tjera “klube të stër vjetruara”: Kurti e Osmani fillimi i epokës së re

Populli i Kosovës për një periudhë të shkurtër do të votojë për herë të dytë në zgjedhje parlamentare.

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, dje ka mbajtur takime me partitë politike pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

Osmani takimet do t’i vazhdojë edhe sot, në të cilat do të diskutohet për datën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme.

Presidentja sot do të takojë  përfaqësues të koalicionit Nisma-AKR, pastaj ata të Grupit 6+, ndërkaq në fund do ta përmbyllë ciklin e takimeve me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Lëvizja Vetëvendosje, parti kjo e cila në zgjedhjet e vitit të kaluar kishte dalë e para dhe kandidati i saj për kryeministër Albin Kurti, arriti ta formojë qeverinë më 3 shkurt, por që zgjati deri më 25 mars, në këto zgjedhje pretendon se do të jetë shumicë e pakontestuar parlamentare në Kuvend.

Ish- deputeti i kësaj partie, Xhelal Sveçla, ka thënë për Ballkani.info, se për 120 ditë aq sa kishte qeverisur qeveria Kurti, qytetari ka qenë i përfaqësuar denjësisht.

Sipas tij, në zgjedhjet që do të mbahen së shpejt, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë shumicë e pakontestuar parlamentare në Kuvend.

“Së pari, duhet parë si lajm i mirë fakti që vendi po shkon në zgjedhje të reja. Që pas përmbysjes së vullnetit të qytetarëve më 25 mars në Kuvendin e Republikës përmes akrobacioneve të ndryshme, zgjedhjet kanë qenë domosdoshmëri. Mesazhi i qytetarëve ka qenë i qartë, ashtu sikurse është e vullneti i tyre tash. Unë besoj që në bazë të qeverisjes sonë 120 ditëshe, përgjatë së cilës qytetari i Republikës pas një kohe të gjatë, për mos të thënë për herë të parë, ndihej i përfaqësuar denjësisht dhe udhëhiqej me përgjegjshmëri, dhe konsistencës sonë në raport me parimet e Lëvizjes, por edhe premtimet ndaj qytetarëve, në zgjedhjet që pritet të organizohen shpejt, Lëvizja Vetëvendosje do të jetë shumicë e pakontestuar parlamentare në Kuvend. Qytetari tashmë e ka të qartë zgjedhjen e tij, kurse Lëvizja që tani e ka të qartë përgjegjësi e madhe që bartë”, ka theksuar Sveçla.

Edhe në të kaluarën, është parë bashkëpunimi i kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, me atë kohë kandidaten për kryeministre nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa tani më, Osmani si u.d. e Presidentes dhe e larguar nga ish-partia e saj, bashkëpunimin si duket e kanë të thelluar.

Një bashkëpunim edhe në të ardhmen, e përmend edhe ish-deputeti Sveçla.

Ai ka thënë për Ballkani.info, se është gatishmëria që ky bashkëpunim të thellohet edhe në formë të një koalicioni.

Sipas tij, koalicioni i përbërë nga VV dhe Vjosa Osmani, do të jetë i duhuri dhe i mjaftueshëm për zgjedhjen dhe formimin e të gjitha institucioneve pas zgjedhjeve.

“Tashmë është i njohur bashkëpunimi i jonë me zonjën Osmani i ndërtuar mbi parimësinë që dy palët kanë treguar në raport me vullnetin e 6 tetorit, sikurse edhe gatishmëria që ky bashkëpunim të thellohet edhe në formë të një koalicioni. Besoj që i njëjti do të jetë edhe i duhuri, por edhe i mjaftueshëm për zgjedhjen dhe formimin e të gjitha institucioneve pas zgjedhjeve. Vendi ka nevojë për një epokë të re të përfaqësimit politik. Koalicionet me subjekte të klubit të stër vjetëruar politik e pamundësojnë këtë. E në anën tjetër një bashkëpunim në mes Lëvizjes Vetëvendosje!, përkatësisht Albin Kurtit, dhe iniciativës së zonjës Osmani, përbënë fillimin e asaj epoke”, ka pohuar Sveçla./Ballkani.info./