Veterani i ushtrisë ruse vret dy persona në ndërtesën qeveritare në Moskë

Një veteran i ushtrisë ruse vrau dy persona dhe plagosi katër të tjerë, përfshirë një vajzë 10-vjeçare, në një të shtëna brenda një zyre të shërbimeve publike në Moskë, thanë autoritetet ruse. Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se sulmuesi, të cilin ata e identifikuan si një ish-ushtarak 45-vjeçar, besohet të ketë sulmuar me armë zyrtarët e qeverisë për shkak të kushteve ekonomike që po përballej si pasojë e pandemisë Covid-19.

Rusia është njëri nga vendet më të goditura në botë nga pandemia, duke ndikuar edhe në tkurrjen e vendeve të punës dhe rënies ekonomike. Kryebashkiaku Sergei Sobyanin e quajti incidentin një “tragjedi” dhe konfirmoi se dy persona u vranë nga personi i armatosur, i cili ishte arrestuar.

Nënkryetarja e bashkisë Anastasia Rakova tha se dy punonjës të qendrës së shërbimeve publike, një administrator dhe një roje sigurie, u vranë në të shtënat në Moskën juglindore. Ajo tha se katër persona janë plagosur, mes tyre edhe vajza.

Ngjarja ndodhi në një zyrë qeveritare shumëfunksionale që merret me një sërë çështjesh administrative. Rakova tha se stafi dhe vizitorët e Qendrës së Zyrave Publike Ryazansky u evakuuan menjëherë kur të shtënat filluan. Disa agjenci ruse të lajmeve, duke cituar burime të zbatimit të ligjit, thanë se i armatosuri kërkonte ndihnë nga shteti për të mbijetuar, pasi ishte një ushtarak që po merrte një pension shumë të vogël. Raste të tjera të të shtënave të profilit të lartë kanë ndodhur në ushtrinë ruse.

Në nëntor 2020, një ushtar 20-vjeçar vrau tre ushtarë të tjerë në një bazë ushtarake pranë qytetit të Voronezh në jug të Moskës. Në një sulm të ngjashëm në vitin 2019, një rekrut i ri qëlloi për vdekje tetë ushtarakë. /Ballkani.info/