“Veterani” Albin Kurti edhe në “Reuters” përmend mundësinë e një lufte të re mes Kosovës dhe Serbisë

Deklaratën për rritje të tensioneve me Serbinë që mund të çojnë në një luftë të mundshme, të cilën e bëri në një intervistë për “La Repubblica”, kryeministri Kurti e ka ripërsëritur edhe në një tjetër intervistë. Kësaj radhe ai ka thënë edhe për “Reuters” se lufta nuk përjashtohet si mundësi.

Sipas kryeministrit Albin Kurti, Kosova është e përgatitur të përballojë një sulm të mundshëm nga Serbia, pasi përkeqësimi i situatës me komunitetin serb në Kosovë mund të rezultojë në një konflikt të ri të armatosur.

“Nuk duhet ta neglizhojmë faktin se këto politika agresive të Beogradit, në një mënyrë apo në tjetrën, mund të shndërrohen në një sulm ndaj Kosovës. Jemi vigjilentë, por nuk kemi frikë”, ka thënë kryeministri Kurti për Reuters.

“Nuk po them se ata do të na sulmojnë këtë javë apo javën e ardhshme, mirëpo do të ishte plotësisht e papërgjegjshme nga ana jonë që ta përjashtojmë mundësinë për rritje të tensioneve dhe konfliktit”, ka shtuar ai.

Përkundër kësaj, Kurti ka kritikuar edhe Rusinë si shtet miqësor i Serbisë, duke thënë se mund të jetë një nga faktorët e përkeqësimit të gjendjes në veri të Kosovës.

“Presidenti despotik rus, Vladimir Putin, është një njeri i luftës dhe ai ka interes të përhapë luftën, sepse dëshiron që ta normalizojë atë”, tha Kurti për Reuters, duke aluduar në pushtimin e Rusisë në Ukrainë.