Vetëm 20 shtretër të lirë për personat me COVID-19 në Spitalin e Gjilanit

Janë gjithsej 130 shtretër të paraparë për personat e prekur me koronavirus në Spitalin Rajonal të Gjilanit, por vetëm 20 prej tyre janë të lirë.

Kjo pasi numri i rasteve me COVID-19 po vazhdon të ketë rritje/ulje kohë pas kohe.

Në një prononcim për Reporteri, ushtruesi i detyrës së Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, Ukshin Ismajli tha se në këtë spital janë të shtrirë 111 pacientë, kurse 101 është numri i personave pozitiv me COVID-19.

Ai gjithashtu shtoi se me oksigjenoterapi janë 79 pacientë, gjersa shtoi se në mjekim intensiv janë shtatë persona, që po marrin trajtimin mjekësor.

Ndërkaq, sa i përket furnizimit me oksigjen, Ismajli tha se për momentin gjendja është stabile dhe se nuk kanë këtë problem.

“Për momentin kemi mjaftueshëm oksigjen. Është zgjidhur problemi me oksigjen. Nuk kemi asnjë shqetësim për momentin, gjendja është në rregull”, tha ndër të tjera ai për Spitalin.

Ndryshe, gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë regjistruar 871 raste të reja me COVID-19, ku 69 prej tyre janë vetëm në qytetin e Gjilanit.