Vetëdorëzimi i Balilit, ministri Lleshaj e quan aksion të suksesshëm të policisë

Në lidhje me vetëdorëzimin e njërit prej personave më të kërkuar në Shqipëri, Kelment Balilit reagoi edhe Ministria e Brendshme.

Ministri Sandër Lleshaj konfirmoi vetëdorëzimin e Klement Balilit, pa dhënë detaje operacionale, teksa dha edhe një mesazh të vendosur për vijimin e luftës ndaj krimit të organizuar.

“Policia shqiptare ka finalizuar një operacion të gjatë e të ndërlikuar për Klement Balilin.

Nga sot Policia ka në duart e saj një nga personat e saj më të kërkuar, ndërsa qytetarët marrin një mesazh të rëndësishëm nga policia që duan”, tha ministri Lleshaj.

Sipas tij Policia e Shtetit është në gatishmëri për t’u përballur me këdo, e gatshme dhe e aftë për të kaluar në fazën vendimtare për luftën kundër krimit të organizuar, me aftësi të përmirësuara goditëse.

“Në luftën pa kompromis kundër krimit të organizuar, po e ngushtojmë gjithnjë e më shumë mundësinë që kriminelët t’i shpëtojnë policisë. Të gjitha ata që veprojnë në kundërshtim me ligjin e dinë mirë se mundësia për të shkuar para hekurave të qelisë është shumë e madhe.

Rruga e vetme për ta është bashkëpunimi me drejtësinë, rrugë tjetër për ta nuk ka. Të gjitha institucionet janë sot të inkurajuara për të luftuar krimin dhe korrupsionin, për të mundësuar progresin e shpejtë drejt integrimit të vendit në BE”, shprehet ai.