Vet-rrëzimi i vonuar i qeverisë Kurti, i ardhur në kohë të gabuar

Albin Kurti nuk ka arritur që të dëshmojë të kundërtën rreth dyshimeve të shumta rreth tij, gjatë kohës sa ka udhëhequr qeverinë.

Në këto më pak se 50 ditë qeverisje, ai ka konfirmuar dyshimet e kamotshme të shumëkujt, si: Synimi I pushtetit absolut; Mungesa e dëshirës dhe vullnetit për koalicion, demokraci e pluralizëm; Nuk e do aspak prezencën e Amerikës në Kosovë dhe kur i rrezikohet pushteti, nuk e njeh as qytetarin as pandeminë.

Për më tepër, mocioni për rrëzimin ka ardhur si pasojë e disa dështimeve të mëdha të kësaj qeverie.

Kurti fillimisht e hoqi taksën ndaj Serbisë pa ndonjë përfitim për Kosovën, vetëm duke i mundësuar rikthimin në tregun e Kosovës dhe për më tepër edhe i ka acaruar më shumë raportet me SHBA-në pas këtij vendimi.

Kjo qeveri gjithashtu ka bërë diskriminim me buxhet, duke i ndarë pjesë më të mëdha të tij për një pjesë të caktuar të Kosovës e pjesën tjetër duke e lënë shumë keq, me theks të veçantë zonën e Dukagjinit.

Është vet Kurti ai që e provokoi rrëzimin e qeverisë duke aplikuar standarde të dyfishta për ministrat gjatë kohës së pandemisë e në të njëjtën kohë duke i bërë thirrje opozitës që të mos bëjë punën e saj.

Ai ka shkarkuar ministrin Agim Veliu për shkak se alarmoi për gjendjen me pandeminë, por e mbajti ministrin Blerim Reka edhe pse ky i fundit i ofroi Serbisë faljen e korridorit për daljen në Adriatik.

Vetëvendosje ndërkohë ka përdorur paradoksalisht si argument edhe deklaratat e analistëve serb, kryesisht edhe kundër SHBA-së.

Kurti në fakt ka treguar rezervime dhe mungesë të vullnetit për të marrë pjesë në dialog, për të mbajtur taksën, nga bashkëpunimi me opozitën e për shumëçka tjetër.

Këto janë disa nga veprimet e qeverisë dhe Kurtit që kanë çuar deri në vendimin për rrëzimin e qeverisë, që pritet të kalojë sot në kuvend.