Veseli: Vizioni im është lufta kundër korrupsionit, krijimi i shanseve për të rinjtë dhe zhvillimi ekonomik për të gjithë qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha sonte në konventën ku u nominua për kryeministër të ardhshëm të Kosovës se askush më shumë se PDK-ja nuk e ka të qartë drejtimin që i duhet Kosovës.

Ai ka përmendur kauzën e tij për një luftë të pakompromis kundër korrupsionit, për një ekonomi të fortë dhe aleancë me shtetet mike të Kosovës.

Lideri i PDK-së ka thënë se më 6 tetor do të fitojë për të mos i lënë që të tjerët ta dështojnë Kosovën.

Duke folir për vizionin e tij për qeverinë e ardhshme, Veseli tha se ajo do të ketë më së shumti ministra të rinj.

“Të gjithë duhet ta dimë se 6 tetori nuk është thjesht një ditë votimi.
Është referendum për të ardhmen e Kosovës. Nëse duam të ecim fuqishëm drejt rrugëtimit euro-atlantik, drejt ballafaqimit me sfidat reale të korrupsionit, nepotizmit, abuzimit, dështimit dhe rrezikimit të shtetit. Apo, të futemi në dilema, konflikte dhe ikje nga përgjegjësitë? Para nesh qëndron një moment kthese historike. Dhe, në të tilla momente, ajo që del në pah gjithmonë është Partia Demokratike e Kosovës.

Më 6 tetor, ne do të fitojmë për të mos i lënë të tjerët ta dështojnë Kosovën, ta izolojnë Kosovën, ta lënë Kosovën në stagnim e paqartësi. Më 6 tetor, ne do të fitojmë, me besimin qytetar, për t’u treguar të gjithëve se ky vend ka shpresë, se Kosova është besimi dhe jeta jonë, se burrat e gratë e Kosovës janë të zotë për ta zhvilluar vendin e tyre. Më 6 tetor do të fitojmë, për t’u treguar të gjithëve se ata që promovojnë më shumë rininë dhe u japin atyre një shans të vërtetë, do ta udhëheqin vendin”, ka thënë Veseli.

“Në dy dekada liri, dhe një dekadë pavarësi, Partia Demokratike ka udhëhequr proceset vendimtare për Kosovën. Të tjerët, ose janë ankuar, ose vetëm na kanë shikuar dhe janë munduar të na gjykojnë. Por, kanë bërë pak ose aspak. Ka pasur edhe të tillë që janë përpjekur ta mohojnë dhe shkatërrojnë atë që kemi ndërtuar tash e 20 vjet liri.

Edhe sot, ata nuk janë të zotët që t’u dalin ballë sfidave të shtetit. Ose ju mungon guximi, ose zgjedhin rrugën e gabuar! Kosovën nuk mund ta udhëheqë dikush që hyn në borxh para liderit dhe partisë, më shumë sesa para qytetarëve dhe Kosovës. Jo ata që s’kanë guxim të marrin vendime. Kryeministri i Kosovës duhet t’i përgjigjet vetëm popullit të Kosovës dhe nevojave te qytetarëve.

Nuk mund të ndërtohet e ardhmja për shtetin e Kosovës nga ata që dyshojnë në të, që e mohojnë identitetin e shtetit të Kosovës, nga ata qe s’kanë zemër ta çojnë lart flamurin e Kosovës. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që vënë në dilemë dhe cenojnë partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Nuk mund të ndërtohet një e ardhme këtu nga ata që nuk kanë vullnet dhe guxim për ta luftuar korrupsionin, nepotizmin dhe abuzimet me pushtetin. Nëse duam ta luftojmë korrupsionin, gjëja e parë është ta pranojmë problemin dhe ta fillojmë ndryshimin nga shtëpia. Sepse, të gjitha partitë e Kosovës kanë qenë dhe janë në pushtet dhe kanë bërë e po bëjnë gabime.

Por, PDK është partia e vetme që ka edhe vullnetin, edhe guximin për t’i ndrequr këto gabime. Ne kemi një plan si ta luftojmë korrupsionin, si t’i mbajmë të rinjtë tanë këtu, si ta ndërtojmë një të ardhme. Ne do ta formojmë një Qeveri pa aktakuza.

Një Qeveri që do të jetë e vogël në numër, por shumë efikase dhe përfshirëse në punë. Një Qeveri me Ministra të rinj që do të punojnë për qytetarët. Do të jetë Qeveria me më shumti të rinj ndonjëherë”, tha ndër të tjera Veseli.

“Gjatë gjithë jetës sime, si shumica prej jush, unë kam punuar për Kosovën. Asnjëherë nuk kam pasur frikë të luftoj për vendin tim. As kur themeluam Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e as tash kur ka nevojë që ta luftojmë korrupsionin dhe që ta zhvillojmë vendin tonë. Asnjëherë unë nuk kam vepruar vetëm për realizim të ëndrrës sime. Por, gjithmonë në bazë të një dëshire dhe një ëndrre të përbashkët të kombit tonë. Edhe sot, ëndrra jonë, vizioni ynë, nuk ka të bëjë vetëm me 6 tetorin. Është shumë më e madhe se kaq.

Shumë kohë para se ta dija se kishte zgjedhje, vendosa të veproj kundër fenomenit të korrupsionit dhe mashtrimit me listat e veteranëve. Shumë kohë para se ta dija se do të kishte zgjedhje, vendosa t’i largoj nga detyra këdo që kishte aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm. Sepse, besova që për të bërë ndryshimin, duhet që ndryshimin ta fillojmë nga vetja. Partitë tjera më shikuan, përfolën dhe akuzuan, por ju po e shihni se efekti po arrihet. Si standard i ri etik në politikë që po vendoset nga PDK, në institucione nuk do të ketë njerëz me aktakuza. Shumë kohë përpara se ta dija se do të kishte zgjedhje, promovova të rinj në pozita udhëheqëse në Qeveri dhe PDK, duke ua dhënë shansin atyre. Ata e dëshmuan veten. Shpëtuan miliona euro nga Buxheti i Kosovës, duke e luftuar korrupsionin dhe i kthyen ato në të mira për qytetarët”, deklaroi Veseli.

loading…



Chat conversation end
Type a message…