Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar nga Bashkësia Islame e Kosovës të gjithë besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.
“Urime të gjithëve ju qoftë Bajrami ju dhe familjeve tuaja si dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Më së shumti atyre që e ndajnë dhimbjen në këto ditë për ata që janë ndarë nga bashkëfamiljarët e tyre nga Bajrami i kaluar në këtë Bajram – le të jenë më të fortë”.
“Gjithsesi familjeve që kanë dhënë më së shumti për kombin tonë –familjet e dëshmorëve, martirëve të lirisë dhe heronjve të Kosovës”.
Veseli ka pasë edhe një urim më të veçantë për këtë festë.
“Kisha pasë edhe një urim që pas këtij muaji të shenjtë të Ramazanit – muaj i sakrificës dhe solidaritetit – që ne si komb të kujtojmë të kaluarën tonë, por më shumë të mendojmë për të ardhmen”.
“Ne si komb duhet të mendojmë në mënyrë kritike për njëri-tjetrin, por mos ta urrejmë njëri-tjetrin, ta duam më shumë dhe të ndihmojmë të përmirësojmë njëri-tjetrin”.
“Ky është edhe urimi që dua ta ndaj me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiun e nderuar Naim Tërnava”
“Falemnderit myfti për çdo predikim që BIK-u dhe përmes jush çdo imam në Kosovë bën për komunikimin që është solidaritet dhe respekt çdo feje, race dhe identiteti. Në të njëjtë kohë e dallon identitetin tonë kombëtar pa e fyer asnjë identitet tjetër dhe mbron vlerat universale”.







