Veseli: Uroj që t’mos izolohemi e të varfërohemi edhe më shumë me qeverisjen e re

Kadri Veseli, ish-kryeparlamentar i Kuvendit të Kosovës, në Rubikon të KTV-së ka thënë se nga qeveria e re do të kërkojë veprime konkrete në integrim të shtetit.

Ai tha se kërkon që të ketë zhvillim ekonomik e luftës kundër korrupsionit, por në të njëjtën kohë edhe raporte edhe më të përafërta me SHBA-në e BE-në “sepse ecja përpara është e ndërlidhur me këto raporte”.

“Unë nuk pres që këta (qeveria e re) të dështojnë, por dua që ky vend të ec përpara, kushdo qoftë në pushtet. Qytetarët s’e meritojnë dështimin”, u shpreh Veseli.

“Uroj që të kenë sukses, por mund të them vetëm këtë: uroj që të mos kemi izolim e varfërim më të madh të qytetarëve. Nëse sillen (LVV e LDK) sikurse deri më tani, vetëm me fjalë të arrijnë të gjitha, por të mos implelentojnë veprime për qytetarin…”.

“Ideja e fitores së zgjedhjeve, dhashtë zoti ua ndërron pak mentalitetin LVV-së. Na kanë quajtur tradhtarë për takimet me Vuçiqin. Le të mbajnë fjalën e le t’i çojnë në burg ata që janë të jashtëligjshëm. Kanë thënë se është kapur shteti, duhet ta ç’kapin. Kanë thënë se ka korrupsion, le ta luftojnë. Unë nuk jam hakmarrës në politikë”, deklaroi kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai qeshet kur pyetet nëse ia ka frikën Lëvizjes Vetëvendosje që kanë kërcënuar se do t’i çojnë në burg të korruptuarit.

Por thotë se do t’i japin rast të tregohen qeverisë së re për 100 ditë.

“Do t’ia japim 100 ditë. Nuk është e ndershme të paragjykosh dikë më herët. Do të shprehim rezervat e vërejtjet tona, por do të presim për hapat që do t’i ndërmarrin”, tha Veseli.

Ai tha se do të bashkëpunoj me të gjitha partitë opozitare në Kuvend. /rubikon/

loading…