Veseli takon strukturat e mëhershme të PDK-së: Angazhohuni për fitoren, bashkë mund t’ia dalim

Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, sot ka takuar disa prej themeluesve të Partisë Demokratike të Kosovës, ish-deputetë, ish-anëtarë të Kryesisë dhe Këshillit Drejtues dhe ish-struktura drejtuese të degëve të PDK-së.

Veseli i ka falënderuar ata për kontributin e dhënë për PDK-në dhe Kosovën, duke u kërkuar që të angazhohen sërish për të dëshmuar edhe një herë, siç ka thënë ai, që PDK-ja i del zot këtij vendi dhe që janë parti e vendimeve të mëdha.

“I FALËNDEROJ SHUMË të gjithë ata që kanë kontribuar për Partinë Demokratike të Kosovës. Pa këtë kontribut, PDK-ja nuk do të mund të realizonte qëllime madhore për popullin dhe vendin. Pa këtë kontribut, PDK-ja nuk do të ishte parti e lirisë, e shtetformimit dhe shtetndërtimit!

Falë kontributit të ju të gjithëve, ne sot jemi shtëpia më e madhe e demokracisë në Kosovë, që e mbajmë të palëkundur orientimin e Kosovës drejt Perëndimit, drejt aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me partnerët tjerë.

Por, ne duhet ta dëshmojmë edhe një herë që i dalim zot këtij vendi, që jemi partia e vendimeve të mëdha. Populli i Kosovës pret nga ne lidership të guximshëm. Pret të marrim përgjegjësi dhe me vizion të qartë ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

Për këtë është shumë i nevojshëm edhe angazhimi i juaj, sepse vetëm të bashkuar mund t’ia dalim.

Jo thjesht për Partinë Demokratike të Kosovës, por për Republikën e Kosovës. Jo thjesht për brezin tonë, por për fëmijët tanë!

PDK është familja juaj. Është zëri juaj. Është forca juaj”, ka shkruar Veseli.

loading…