Kadri Veseli
Veseli: Qëndrimi i Gjermanisë është i njëjtë me të Kosovës, jo ndryshim të kufijve
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli , i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Gjermani deklaroi edhe një herë se qëndrimi i Berlinit është se duhet të ruhet integriteti territorial i Kosovës.
Veseli po ashtu theksoi se Gjermania është e mendimit që të arrihet një marrëveshje mes Prishtinës dhe Beogradit, e cila do të ishte e pranueshme për të dy palët.
“Kosova është shtet i pavarur dhe Sovran, Kosova është shtet i pacënuar në integritetin territorial, ky është një qëndrim i shtetit gjerman, si dhe nevoja që të arrihet një zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Veseli.
Ai në Klan Kosova foli edhe për qëndrimin e Gjermanisë lidhur me korrigjimin apo ndryshimin e mundshëm të kufijve, për të cilën temë shtoi se shteti gjerman qëndron konsistent kundër një ideje të tillë.
“Qëndrimi i Gjermanisë është edhe i Kosovës. Jo cënim të kufijve dhe jo shkëmbim të territoreve, si dhe mundësi e një marrëveshjeje që nuk përfshin as korrigjimin e kufijve”, tha tutje Veseli.
Theksojmë se shteti gjerman është i vetmi që deri më tani ka dalur kategorikisht kundër idesë së shpalosur nga presidenti Thaçi për korrigjimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.